AAK: Programi qeverisës për shëndetësi, me ide të këqija

100 ditëshi i qeverisjes së Isa Mustafës ka nisur të marrë kritika për fusha të ndryshme, sidomos në sektorin e shëndetësisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lajme

22/03/2015 13:36

Departamenti i Shëndetësisë i kësaj partie, me në krye Talat Gjinollin, në një konference për media, tha se kryeministri Isa Mustafa nuk ka bërë ndonjë gjë të duhur për këtë sektor, madje, sipas tyre, kryeministri nuk ka asnjë ide të mirë për të ardhmen në këtë fushë.

E gjithë analiza e sotme, e bërë nga departamenti i Shëndetësisë në AAK, sipas Gjinollit, është mbështetur në programin e Qeverisë për shëndetësinë.

Gjinolli tha gjatë prezantimit të kësaj analize se Mustafa nuk i ka zgjidhjet e veta për problemet në shëndetësi dhe se nuk i ka kuptuar ato të nisura nga qeveria e mëparshme.

“Qeveria Mustafa nuk i ka zgjidhjet e veta për probleme në shëndetësi dhe nuk ka kuptuar ato të nisura nga qeveria e mëparshme. Rrjedhimisht, programi është me plot ide të këqija, ndërkohë që nuk adreson shumë probleme me rëndësi. Vende, vende është edhe në kundërshtim me ligjet që e rregullojnë këtë fushë, ndërsa, për ato pak veprime që mund të bëjnë ndryshimin në shëndetësi, nuk cakton as kush, as kur, as si do t’i realizojë. Duke e bërë jo program të aksioneve, por, listë të dëshirave”, tha Gjinolli.

Sipas tij, për AAK-në paralajmërimi se nuk do të ketë fond publik të sigurimeve shëndetësore të paktën deri në vitin 2016 është tragjik, ndërsa, arsyetimi i qeverisë është komik.

“Tragjik për shkak se Kosova ka pasur nevojë që këtë fond të sigurimeve shëndetësore publike jo sivjet, por, që 15 vite është dashur me e pas. Dhe komik se arsyetimet se nuk po bëhet për të mos dal i keq, nuk i beson askush. Qeveria është dashur të mobilizojë mjete nga të gjitha vijat buxhetore, ka mundur të marrë edhe mjete borxh që fondin ta bëjë funksional menjëherë.

AAK konsideron se Kosova, përveç se ka nevojë për një fond të sigurimeve shëndetësore publike, po ashtu ka nevojë edhe për sigurime shëndetësore private, pasi që, sipas tyre, në këtë mënyrë do të ketë konkurrencë të lirë pa monopole dhe do të jetë i mundur zhvillimi i një shëndetësie të shëndoshë.