AAK: Nuk është në traditën shqiptare që të sulmohet familja

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm pranë shtëpisë së drejtorit të RTK-së, Mentor Shala. Sipas kësaj partie, tradita shqiptare nuk e njeh sulmin në familje.

Lajme

29/08/2016 08:40

“Sulmi i mbrëmshëm mbi shtëpinë e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shala është i papranueshëm. Nuk është në traditën shqiptare që të sulmohet familja, për çfarëdo arsye që mund të jetë. Familja është e shenjtë”, thuhet në një reagim nga kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj.

AAK akuzon shtetin se është i paaftë që t’u gjendet afër qytetarëve të Kosovës në këso raste.

“Kjo situatë bëhet edhe më e papranueshëm kur kemi parasysh se është akti i katërt dhe organet e sigurisë nuk kanë as pistë të hetimeve (siç zakonshëm i referohen) për këto raste. Shteti që në start na tregon se sa i paaftë është për t’iu gjendur afër qytetarëve të Kosovës, në këtë kohë mjaftë delikate jo vetëm në Kosovë por edhe në botë”, thuhet në reagim.

Sipas AAK-së, Kosovës i duhet qetësia e maturia dhe jo diçka tjetër.

“Nëse nuk janë të kurdisura, siç zakonisht kanë ditë më i ba edhe në të kaluarën, atëherë ju bëjmë thirrje policisë që sa ma parë të kapen autorët dhe këto sulme të marrin fund njëherë e mirë. Kosovës i duhet qetësia e maturia e jo diçka tjetër…për të mbuluar diçka apo për të përfituar politikisht diçka nga këto akte të shëmtuara”, përfundon reagimi. /lajmi.net