AAK: Mustafa duhet të flasë për dorëheqjen e tij

Subjekti opozitar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Isa Mustafa, lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajme

25/12/2015 22:34

AAK përmes një deklarate për media ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin dhe reagimit të kryeministrit se do të procedojë me themelimin e Asociacionit, nuk mund ta shohin ndryshe vetëm si “fontanë dëshirash për shkelësit e Kushtetutës”.

“Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij, duke u gjendur në një situatë të rëndë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e kanë vërshuar opinionin publik me sulme të reja kundër opozitës dhe me modele se si ata do ta zgjidhin apo procedojnë Asociacionin. Mirëpo kjo Qeveri nuk e ka kredibilitetin institucional dhe besueshmërinë qytetare që ta trajtojë me tutje çështjen e Asociacionit”.

“Deklarimet e fundit të zyrtareve qeveritarë, përfshirë edhe ato të Kryeministrit Mustafa, lidhur me atë se si Qeveria duhet të procedoje tutje rreth krijimit te Asociacionit, nuk mund të vlerësohen ndryshe vetëm si një fontanë dëshirash nga shkelësit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“Kryeministri dhe vartësit e tij,  në emër të Kosovës, kanë nënshkruar  marrëveshje me të cilat kanë cenuar kushtetutën dhe kanë rrezikuar funksionalitetin e shtetit”, thuhet në komunikatën e AAK-së, raporton lajmi.net.

Tutje në deklaratë thuhet se pas vendimit të Kushtetueses, Asociacioni nuk duhet të jetë “kompetencë e kësaj Qeverie”.

“Këta njerëz duhet që sa më parë të kthjellohen, të reflektojnë dhe të largohen nga të gjitha përgjegjësitë shtetërore”.

“Pas vendimit të Gjykatës ku kjo marrëveshje është në kundërshtim me kushtetutën në shtatë kapitujt e saj, çështja  e Asociacionit nuk mund të jetë më kompetencë e kësaj Qeverie”.

Në fund të komunikatës, AAK thotë se kryeministri Isa Mustafa sot duhet të flas për dorëheqjen e tij dhe jo të përmend veprimet e opozitës në Kuvend.

“Kryeministri dhe vartësit e tij, përpara se të flasin për opozitën dhe gazin lotsjellës, duhet të japin llogari për shkeljen e kushtetutës dhe dëmin që ata ia kanë shkaktuar vendit”.

“Ai sot duhet të flasë vetëm për dorëheqjen e tij, nëse i ka mbetur sado pak kredibilitet moral e politik”./lajmi.net