AAK-LDK bashkë për Vushtrrinë

AAK dhe LDK kanë nënshkruar një koalicion për të përkrahur kandidatin e AAK’së Muharrem Shabani për Kryetar të Vushtrrisë.

Lajme

23/11/2013 15:12

Është nënshkruar koalicioni në mes të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për të përkrahur kandidatin Muharrem Shabani për kryetar të Vushtrrisë në garën e balotazhit.

Përfaqësues të dy partive, kanë vlerësuar se ky koalicion shprehë vullnetin për ndryshime në qeverisjen e Komunës së Vushtrrisë, raporton Kosovapress.

Muharrem Shabani tha se me këtë koalicion, do të mund të largojnë, siç u shpreh ai, qeverisjen e keqe në këtë komunë.

“Gjendja në këtë komunë kërkon ndryshime, sepse në çdo cep të jetës është vetëm një përkeqësim i jetës, dhe është një qeverisje e jashtëligjshme jo në suaza të ligjeve por të grupeve të interesit. Prandaj për ta nxjerr nga këto kthetra, nevojitet ky koalicion”.

Ndërsa, Hyseni Gërguri kryetar i LDK-së në Vushtrri ka thënë se është dashur që të lidhet ky koalicion për të hequr një të keqe nga pushteti, si lokal ashtu edhe qendrorë, i cili ka plot afera korruptive.

“Ne duhet të angazhohemi bashkërisht si AAK dhe si LDK për ta eliminuar një herë e përgjithmonë një të keqe të Kosovës, jo vetëm në nivelin lokal, por edhe qendror, e ajo e keqe e Kosovës me plot afera korruptive, denoncime, dënime të kryetarëve të komunave, plot gjykime, jo për të mirë, por për vepra penale”.

Këtë koalicion e ka përshëndetur edhe anëtari i kryesisë së LDK-së nga qendra, Agim Veliu i cili ftojë vushtrriasit që të votojnë për këtë koalicion.

“Unë i ftoj të gjithë anëtarët e LDK-së në Vushtrri dhe gjithë simpatizantët e saj, por edhe qytetarët në këtë komunë, ta votojnë këtë marrëveshje, sepse unë mendoj personalisht që ka ardhur koha që edhe në Vushtrri të ketë ndryshime, dhe Vushtrrinë ta udhëheqin vushtrriasit dhe jo dikush tjetër”.

Koalicioni i nënshkruar mes dy partive, në qeverisjen e ardhshme nëse fitojnë, pushtetin do ta ndajnë barabartë, 50 me 50 për qind.

Nëse Shabani zgjidhet kryetar, atëherë AAK-ja do të marr postin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, nënkryetarin e dytë, nëse ka bazë ligjore, si dhe drejtoritë do t’i ndajnë në mënyrë të barabartë.