AAK-ja synon postin e Kryeministrit

Blerim Shala paralajmëron një raund të ri të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se ka një vullnet tek Greqia, Rumania dhe Sllovakia që ta njohin pavarësinë e vendit, nëse Kosova themelon Gjykatën Speciale. 

Lajme

17/04/2014 20:36

 

(E plotësuar 21.22)

Blerim Shala thotë se zgjedhjet nuk mund të mbahen më larg se muaji shtator. Ai thotë se opozita nuk ka vota të mjaftueshme për të rrëzuar Qeverinë.

“Objektivisht më larg se shtatori nuk mund të shkojnë zgjedhjet. Ky kuvend nuk është funksional. Qeveria nuk ka shumicë por as opozita nuk ka vota për ta rrëzuar qeverinë”.

“Kryesorja është parë që zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt”.

Duke folur për synimet që ka AAK në zgjedhjet e përgjithshme, Shala thotë se ata synojnë që të dalin të parët. Ai thotë se AAK preferon postin e kryeministrit pasi që beson se Ramush Haradinaj është “menaxheri më i mirë i Qeverisë”.

“Unë mendoj që parimisht që synimi i AAK-së është që të dalë e para sepse ne do të mund ta zgjidhnim partnerin”.

“Ne nuk kemi ofertë për koalicione parazgjedhore. Ne mendojmë të shkojmë vet dhe të shohim se çfarë peshe kemi.”

“Qëllimi jonë është që ta kemi kryeministrin. Nuk kemi pretendime për poste të tjera, siç mund të jetë posti i Presidentit. Mendoj që duhet ti dhënë një drejtim vendit. Ka ardhur momenti që të dëshmojmë se AAK me partner të udhëheq qeverinë e Kosovës.

“Për bindjen tonë, Ramush Haradinaj është menaxheri më i mirë i mundshëm i një qeverie”.

“Sikur të mund të zgjidhnim, do të ishte normale dhe më natyrshme që PDK të shkojë në opozitë sepse në një mënyrë paguan faturën për një qeverisje që nuk ka qenë e mirë”, ka thënë Blerim Shala në Rubikon të KTV-së.


(E plotësuar 21.00)

Raundi i ri i dialogut me një format të ri

Tutje, në intervistën në Rubikon, nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala tha se ka mundësi që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ndërrojë formatin.

Ai shtoi se formati tjetër mund të jetë përmes takimeve bilaterale në nivel të ministrave. Sipas Shalës, ekziston disponimi parimor për këtë çështje.

“Mendoj që formati i deritashëm parimisht është treguar i suksesshëm”. 

“Nuk ka të keqe nëse kalohet në formatin e takimeve bilaterale, për shembull në mes të ministrave të drejtësisë, edhe pse kohë pas kohe do të ketë takime të nivelit të lartë”.

“Parimisht është diskutuar dhe ka pasur një disponim parimor që takime të tilla të ndodhin”.

“Një hap pozitiv ka ndodhur sepse organizimi i vizitave do të ndodhë në mes të zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd”.

“Nuk mund të pritet që problemet të zgjidhen brenda pak muajve dhe viteve. Por, rruga është gjetur dhe ky proces është i pakthyeshëm”, tha Shala.

Tribunali, nuk kemi pse të druajmë nga hetimet e Williamson-it (E plotësuar 20. 27)  

Blerim Shala tha se varianti më i mirë për Kosovën është që përmes Kuvendit të Kosovës të krijohet Gjykata Speciale. Sipas tij, varianti tjetër, që OKB të krijojë një Gjykatë ndërkombëtare për Kosovën, mund t’i sjellë vendit pasoja të mëdha.

“Ne po përballemi me një dosmosdoshmëri. Ne kot e mohojmë që diçka e tillë të ndodhë në Kosovë”.

“Do të ishte më mirë të ndodhte përmes Kuvendit të Kosovës, sepse varianti i dytë ka pasoja të mëdha për Kosovën”.

“Nuk kemi pse të druajmë nga hetimet e Williamsonit për krimet 99-2000. Insistimi jonë ka qenë që kjo të jetë në Kosovë, në bazë të legjislacionit tonë”.

“Jemi para një akti të tillë që nuk njeh alternativë”.

Shala shtoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka dhënë rezultat,e por jo ashtu siç janë pritur. Ai tha se njohja e Kosovës nga Serbia është kusht për anëtarësim të saj në BE.

“Dialogu ka dhënë rezultate, por jo ashtu siç e kemi pritur. Serbia nuk mund të jetë në BE pa e njohur Kosovën”.

 

Tribunali do të sjellë njohje të reja

Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala mendon se Kosova rrezikon që të shkojë në zgjedhje parlamentare me ligjin e vjetër zgjedhor, duke shprehur shqetësimin e tij se nëse një gjë e tillë ndodhë, atëherë ka mundësi të përsëriten manipulimet në zgjedhje.

“Sipas të gjitha gjasave ne do të përfundojmë në situata ku do të shkojmë në zgjedhje të reja me ligjin e vjetër, në zgjedhje të përgjithshme, që nënkupton të drejtën e serbëve për të votuar me një dokument valid”.

Ai në emisionin Rubikon të KTV-së, ka thënë se tri vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka gjasë që ta bëjnë këtë në fund të vitit ose në fillim të vitit tjetër. Por, kjo ka gjasa, sipas tij, të ndodhë nëse Kosova themelon Gjykatën Speciale për krimet e luftës.

“Nëse bëhet Gjykata Speciale me vullnetin tonë, gjasat janë të mëdha që do të ketë një reflektim pozitiv te tri shtetet e BE-së, që edhe ashtu janë afër të na njohin, tek Greqia, Rumania dhe Sllovakia. Ka reflektime të tilla”.

Blerim Shala, i cili është pjesëmarrës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka paralajmëruar edhe një raund të ri të dialogut në Bruksel. Ai gjithashtu njoftoi se deri në fund të këtij muaji do të zgjidhet çështja e Gjykatës në Veri.