AAK-ja e lë të hapur mundësinë për pjesëmarrje në tryezën e VV-së

Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur një tryezë politike për të premten, me kërkesën e vetme që të caktohet data për zgjedhje.

Lajme

21/05/2018 19:15

Deri më tani zyrtarë të PDK-së dhe PSD-së kanë thënë se nuk kanë pranuar ftesat zyrtare.

Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka lënë të hapur mundësinë për pjesëmarrje në këtë tryezë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë për lajmi.net se pjesëmarrja në tryezë nuk nënkupton se pajtohen me idenë e Vetëvendosjes

“Pjesëmarrja jonë nuk nënkupton që jemi dakort me idetë e subjektit politik Vetëvendosje e të partive tjera politike. Tryezat duhet parë si mundësi për një bashkëpunim mbarë shoqëror e politikë për të gjetur harmoni për ti shtyrë përpara disa tema që janë me rëndësi nacionale”, ka thënë nënkryetari i AAK-së.

Sipas Lekajt partitë aktualisht duhet të punojnë që të japin zgjidhje për problemet e Kosovës.

Ai thotë se me zgjedhje vetëm rriten këto probleme.

“Zgjedhjet i përcakton kushtetuta dhe ligjet që derivojnë nga ajo kushtetutë, prandaj konsiderojmë që është koha të jepim zgjidhje për problemet që i ka Kosova, e jo të kërkojmë zgjedhje për t’ia rritur problemet Kosovës”, ka thënë Pal Lekaj.

Tryeza të partive politike u organizuan edhe më herët. E para e nisi LDK-ja ku morën pjesë të gjitha partitë.

Kurse në tryezën e thirrur nga PDK-ja nuk ishin prezente Lista Serbe dhe Vetëvendosje. /Lajmi.net/