AAK është më e fortë se kurrë më parë!

Kosova tashmë është në prag të zgjedhjeve. I pëlqeu dikujt apo jo tash 3 vite pas zgjedhjeve të fundit parlamentare po del që Koalicioni aktual nga dy partitë e mëdha PDK e LDK bashkuar me Listën Serbe, edhepse numerikisht si asnjë më i fortë përnga fuqia e numrave, doli të jetë një eksperiment tepër i shtrenjtë për qytetarët e Kosovës.

Lajme

22/04/2017 17:15

Asnjë, ama asnjë nga premtimet parazgjedhore të të dy partive para 3 viteve nuk u përmbush. S’ka viza, s’ka vende pune, s’ka demarkacion, s’ka rritje ekonomike, s’ka e s’ka të pafundme. I vetmi profit që partitë në pushtet patën nga ky koalicion ishte bajraktarizmi dhe klientelizmi, si partiak ashtu edhe familjar.

Kosova s’ka qenë kurrë më keq në Qeverisje sesa tre vitet e fundit. Prandaj del të thuhet si e tepërt nëse vendit i duhen zgjedhjet!

Sepse zgjedhjet janë e vetmja rrugë që mund ta ndalë këtë plogshti në Qeveri dhe joshpresë tek qytetarët e Kosovës.

Pse Qeveria e Kosovës dështoi krejt këto vite ka shumë arsye. Por le t’i mbetet vet Qeverisë dhe le t’u mbetet vet qytetarëve të vlerësojnë vet pse ngjau kjo rënie kaq e madhe në këto vite. Le ta vlerësojnë pra qytetarët kur herën e ardhshme të dalin në votime nëse duan ndryshim qenësor të gjendjes apo kaos, plogshti, premtime të papërmbushura.

Për opozitën në këto tre vite nuk ka se çfarë thuhet.

S’ka çfarë të thuhet sepse kur qe formuar Koalicioni PDK-LDK të gjithë analistët parashikonin që opozita do të jetë e pafuqishme, sepse s’ka numra, që ta ndalë makinën e votimeve PDK-LDK.

Dhe tani, 3 vjet mëpas doli që krejt ata që i kishin bërë ato hesape e kishin më tepër se gabim.

KJo mund të thuhet sepse opozita jo vetëm që pati agjendë të qartë- herë e bashkuar dhe herë e ndarë, por opozita luajti rolin e saj qenësor: qytetarit të Kosovës ia mundësoi ta sheh keqqeverisjen, rreziqet e gabimeve me demarkacionin, asociacionin, dialogun… Përkundër krejt kritikave për protestat apo gazin, përçarjes apo flirtimeve me partitë në pushtet opozita ishte edhe pragmatike sa herë që për këtë shihej nevoja për vendin. Rasti i Ligjit për Trepçën e dëshmoi këtë.

Tash kur Qeveria ka dështuar dhe agjenda e zgjedhjeve është çështje ditësh, është koha të shikohet konkretisht se kush çfarë mundet t’i ofron votuesit.

Fillojmë me PDK.  Kjo parti është në amulli me Kryetarin e saj ende të ri. Del qartë që  ende nuk e ka gjetur formulën e nisjes pa Thaçin prandaj ngado që sheh në këtë parti shihet që ende është në pozitën e vendnumërimit por edhe hutisë si me kryetarin e ri ashtu edhe me lodhjen e të qenmit në pushtet tash dhjetë vjet.  Kuadrot e PDK-së kanë filluar ta harrojnë origjinën e partisë dhe njeriu ka përshtypjen që pushtetin e kanë përgjithmonë. Por kështu zor që mendon edhe votuesi i cili tashmë ka nisur edhe të lodhet edhe te irritohet me njerëzit e partisë në pushtet- të cilët në bazë zbresin vetëm kur kanë zgjedhje të reja! PDK s’do të ketë rritje. Me krejt këto probleme pyetja është vetëm sa do të bie kjo parti.

Shumë më keq del të jetë partia tjetër në pushtet. LDK-ja e e cila për herë të parë pas lufte zgjodhi (iu dha) posti i Kryeministrit del të jetë sa e hutuar aq edhe pa gjak, sa pa fuqi aq edhe pa guxim. Edhe qytetarët e vendit edhe elektorati i  vet saj, LDK-në nuk e sheh si një parti motor, si një parti e cila ka fuqi të shtyejë para çështje të rëndësishme për Kosovën. Kjo parti edhepse mund të thotë që e ka postin e kryeministrit doli që të jetë e bërë për të qenë shumë më e vogël, shumë më e parëndësishme për vendin.

Që VV! po del të jetë një parti e rrezikshme, tashmë u vërtetua me luftërat e brendhsme. Beteja e Albinit me Shpend Ahmetin dhe përçarja e madhe me njëri-tjetrin tregojnë që pos kërcënimeve publike dhe përbaltjen e institucionit më të papërlyer dhe preferuar të qytetarëve të Kosovës- Policisë së Kosovës, tregon se kjo parti vepron me ideologji pa pyetur për çmimin që i bëhet edhe qytetarit edhe imazhit të Kosovës. VV është parti e cila në radhë të parë e ka ideologjinë e parisë së saj, në radhë të dytë luftën për brenda partisë për pushtet dhe fare në fund Kosovën. Por edhe Kosova sipas VV duhet të jetë më ndryshe sesa qytetari atë e dëshiron. Sprova e VV me pushtetin në Prishtinë e ka nxjerrur mungesën e madhe të pjekurisë që kjo parti do ta kishte në çfarëdo konstalacioni në pushtet.

Duke i analizuar krejt këto parti them se alternativa më e favorshme për ndryshime në Kosovë mbetet AAK. Kjo sepse AAK plotëson pritjet edhe të anëtarësisë edhe të qytetarëve të Kosovës për ndryshime të brendshme të institucioneve, të imazhit dhe të besimit në Qeverisje. Ditët, javët dhe muajt në vazhdim janë shumë të rëndësishëm për AAK-në dhe sjelljen e saj në publik. Entuziasmi që lideri i AAK Ramush Haradinaj ka gjetur ndër shqiptarë në diasporë, troje etnike dhe vet Kosovë është i pafundmë. Përkrahja që Haradinaj këto ditë del të jetë që çdo shqiptar e ka kuptuar se sa Haradinaj i pengon Serbisë, pse Serbia don ta përndjekë atë dhe çfarë Kosova fiton me praninë dhe angazhimin e tij në Qeverisje. Përtej krejt hulumtimeve të opinionit- të blera apo pa pagesë,  Ramush Haradinaj dhe AAK janë si asnjëherë më të forta dhe gatshme t’i dalin Zot Kosovës në këto kohë kur të gjithë duket që kanë mbetur pa orientim!

(Autori është këshilltar i liderit të AAK-së)