AAK: Donika nuk është më në AAK, veprimet e saj janë punë e saj

Donika Kadaj-Bujupi sot edhe zyrtarisht i është bashkuar radhëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme

17/04/2016 13:20

Kadaj-Bujupi e cila më 24 mars kishte dhënë dorëheqje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në prononcimin e saj të parë publik si anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithëm të kësaj partie, ka thënë se ka zgjedhur Vetëvendosjen për shkak parimeve.

“”Duke qenë bashkë të përkushtuar fituam betejën e parë. Ne ishim bashkë të pandarë në parlament, protesta e burg i sollëm rezultatet e para. Ne depërtuam në zemrat e grave dhe burrave të Kosovës, të gjithë atyre që ia duan paqen dhe mirëqenien Kosovës. Ne krijuam një ëndërr për Kosovën meritore dhe për ta jetësuar këtë na duhet shumë punë. Ajo çka po ndodh sot dhe ky vendim i imi është vazhdim i plotë i imi në lëvizjen që nuk u tundua kurrë për pushtet. Në mes paqes dhe drejtësisë, unë kam zgjedhur drejtësi”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Aderimi i Donika Kadaj-Bujupit, në Lëvizjen Vetëvendosje dhe deklaratat e saj nuk i kanë bërë përshtypje Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Madje sipas tyre se çfarë bën Donika më nuk është brengë e Aleancës.

“Donika nuk është anëtare e AAK-s prej 24 marsit. Qëndrimin tonë për largimin e saj e kemi dhënë atëherë. Se çka bën ajo tutje, është punë e saj”, ka thënë Muharrem Nitaj, zëdhënës i kësaj partie.

E me rastin e dorëheqjes së Donika-Kadajt nga AAK-së, kjo e fundit i kishte uruar suksese në rrugëtimin e saj të mëtutjeshëm.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shpreh keqardhje për këtë vendim të zonjës Kadaj-Bujupi, dhe asaj i shpreh mirënjohje për kontributin e deritashëm në AAK dhe në Kuvendin e Kosovës, si deputete e AAK-së, duke i dëshiruar suksese në rrugëtimin dhe në zgjedhjen e saj”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga AAK me 24 mars. /Zëri/