2 vjet e 8 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë për personin që mashtroi kosovarët me bileta udhëtimi

Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim për të akuzuarin G.L i cili mashtroi disa qytetarë për bileta të udhëtimit për në Turqi.

Lajme

22/10/2018 16:21

Gjykata Themelore në Gjilan ka shqiptuar dënimin me burgim dhe me gjobë për personin që mashtroi kosovarët me bileta udhëtimi për në Turqi, shkruan lajmi.net.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, i akuzuari G.L. është dënuar me 2 vite e 8 muaj burgim si dhe me gjobë në shumën prej tre mijë euro.

G.L, dyshohet se nga data 1 gusht 2018 si pronar i Agjensionit Turistik NTSH “Voll Travel”, ka mashtruar klientë të ndryshëm, kinse për të dërguar në Turqi, duke ju dhënë bileta fiktive, ku të dëmtuarit me të njëjtat bileta nuk kanë mundur të udhëtojnë.

Shuma që kanë paguar të dëmtuarit tek agjensioni në fjalë kapin vlerën e 123.859,00 (njëqind e njëzet e tremijë e tetëqind e pesëdhjetë e nëntë) Euro.

“Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale mashtrimi nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjykata pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pranimit të fajësisë nga i akuzuari, ka shqiptuar dënimin me burgim dhe dënimin me gjobë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, raporton lajmi.net.

Të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë dhe aktiviteteve në agjensionet e udhëtimit në kohëzgjatje prej 1 vit e gjashtë muaj, dhe afati do të fillojë pas rrjedhës së mbajtjes së dënimit me burgim.

“Detyrohet i akuzuarit G. L. që në emër të kërkesës pasurore juridike, kompensimin e dëmit të dëmtuarve, pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit”, thuhet më tutje në njoftim.

Gjyqtari pas shpalljes së Aktgjykimit, ka nxjerrë aktvendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin deri në plotfuqishmërinë e Aktgjykimit. /Lajmi.net/