A po rrezikohen interesat strategjike të Kosovës nga mungesa e konsensusit politik!

Nëse klasa politike nuk do të gjej konsensus për sasinë dhe limitet e “alkoolit” që do t’ia injektoj këtij populli përmes ideve të “kontaminuara” politike, atëherë as Brukseli, dhe as Uashingtoni nuk do të mund ta pengojnë shtetin e Kosovës nga goditjet dhe aksidentet e njëpasnjëshme që do t’ia shkaktojmë vetvetes.

Opinion

13/03/2016 16:29

Shkruan: Ilir MUÇAJ

Integrimi në Bashkimin Evropian është qëllim strategjik dhe i pa alternativ për Kosovën. Por, sigurisht që vetëm deklaratat politike janë të pamjaftueshme për suksesin e një procesi jashtëzakonisht kompleks, dhe shumëdimensional për Kosovën. Në njërën anë kemi obligimet e shumëfishta nga agjenda e integrimit evropian, dhe në anën  tjetër  zhvillimin e dialogut të dyfishtë, me ish-armikun historik, Serbinë. Natyrisht, integrimi e ka ndërruar fotografinë politike të Ballkanit, nga një rajon ku dhuna ishte burim i pashtershëm, në një rajon ku paqja po fillon të ndërtohet. Si rezultat historik dhe praktik, perspektiva evropiane është e vetmja rrugë që mund t’i transformoj shtetet dhe shoqëritë e rajonit duke i mbajtur larg konflikteve potenciale.

Ashtu si vendet e rajoni, Kosova në procesin e integrimit evropian ballafaqohet me sfida të panumërta, duke filluar që nga sundimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, emigrimi, dhe reformat e thella institucionale. Megjithatë, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit është hap historik përmes së cilës, de fakto, Kosova merr njohjen e munguar zyrtare nga BE-ja si entitet shtetëror. Por, ndryshe nga vendet e rajonit ku procesi i integrimit ishte dhe është i njëtrajtshëm, për Kosovën, procesi i integrimit është shumëdimensional dhe përfshinë: negociatat me Brukselin për aderim në BE, dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njëkohësisht dialogun me serbet lokal. Një proces aspak i lehtë, dhe jashtëzakonisht kompleks si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga forma. Por, a kemi rrugë tjetër? Sigurisht qe jo. Koha e luftërave në Ballkan ka përfunduar, dhe bllokimi bilateral nuk është opsion marr parasysh zhvillimet gjeopolitike evropiane. Prandaj, integrimi bashkë dialogu janë e vetmja mundësi që Kosova të vazhdoj ecjen e sigurt drejt arritjes se objektivave strategjike nacionale.

Vlen të potencohet së parimi i fqinjësisë së mirë që përfshinë njohje dhe respektin reciprok të shteteve është parim i pa-negociushem për BE-në. Sigurisht që Serbia është e vetëdijshme për që ky parim do të jetë edhe polisa e sigurimit përmes së cilës Kosova do ta siguroj rrugën e integrimit drejt BE-së. Thënë ndryshe, nuk mund të presim që Serbia do ta njohë Kosovën me dëshirë, por sa ma afër Brukselit të arrijë, aq me i pakthyeshëm dhe i pashmangshëm do të behët procesi i njohjes për Kosovën. Sidoqoftë, shpejtësia e arritjes së këtij momenti historik do të varet kryekëput nga ndjeshmëria, vetëdija dhe përgjegjësia e klasës politike ndaj procesit. Sa për ilustrim të përgjegjësisë ose papërgjegjësisë së klasës politike, integrimi linear në BE, pa barrën e dyfishtë të dialogut që ka Kosova, për shtetet e Evropës Qendrore ka zgjatur  afërsisht 12-13 vjet, për Kroacinë 15 vjet, ndërkaq për Shqipërinë, ky proces ka filluar që 24 vjet dhe ende vazhdon. Pasqyra e Shqipërisë, duhet të jetë mësim elementar për klasën tonë politike, që ta kuptojnë koston e lartë të politizimit dhe instrumentalizimit të çështjeve e integrimit evropian, që për Kosovën nënkupton edhe barrën e dialogut me Serbinë.

Fatkeqësisht, dramatizimi dhe elektrizimi i skenës politike të Kosovës  nga Marrëveshjet për Asociacion dhe Demarkacion me Malin e Zi, po demonstron rrëshqitjen e Kosovës drejt modelit të “zorshëm” të Shqipërisë.

Aq me keq për ne, këto marrëveshje janë vetëm fillimi i trajtimit të shumë çështjeve të hapura që Kosova ka me fqinjët e saj. Nëse i referohemi çështjeve të demarkacionit, përveç Maqedonisë, ky proces ende s’ka përfunduar me Malin e Zi dhe ende s’ka filluar me Shqipërinë dhe Serbinë. Nëse problemet fqinjësore, përfshirë dialogun me Serbin, opozita e sotme nuk i trajton institucionalisht, si duhet t’i trajtoj pozita e sotme si opozitë e nesërme problemet ose marrëveshjet e mundshme për demarkim me Serbinë, Shqipërinë ose Malin e Zi? A duhet të presim që për çdo problem potencial me fqinjët, klasa politike të kërkoj zgjidhje përmes rrugës ose zgjedhjeve? Dhe, pavarësisht rezultatit të ardhshme zgjedhor, çdo pozite e nesërme duhet t’i trajtoj dhe zgjidh këto probleme fqinjësore. Pra, logjika e të vepruarit politikë në forma “diversante” e ka ngulfatur Shqipërinë që dy dekada e gjysme, dhe sigurisht që do ta fundos edhe ardhmërinë evropiane të këtij vendi. Kështu që, marr parasysh këtë kontekst kompleks problemesh dhe përvojat fqinjësore, ky vend nuk e ka luksin e zgjidhjes së problemeve në rrugë, sepse ka aq shumë të tilla saqë devalvimi i mëtejmë i institucioneve do të kontribuoj drejtpërdrejt në disfunksionaltetin e shtetit.

Prandaj, klasa politike duhet urgjentisht t’i amortizoj kamuflimet partiake, dhe të gjejë konsensus politik dhe institucional për problemet e interesit nacional, siç janë integrimi në BE dhe dialogu me Serbinë. Përtej konsensusit, interesat vitale duhet të shikohen si domosdoshmëri e përbashkët për konsolidimin e shtetit të Kosovës, përfundimin e dialogut me Serbinë dhe shkurtimin e rrugës së integrimit në BE. Kurse, pjesa e çështjeve të mbetura nga integrimi dhe dialogu, që nuk janë pak, do të mund të përdoreshin për kamuflazha, kalkulime politike dhe fushata zgjedhore. Si për ironi, askujt nga klasa politike nuk po i bëhet vonë mungesa e rezultateve në vërtetimin dhe konfiskim të pasurisë së paligjshme. Fatkeqësisht, duket sikur për këtë çështje dhe shumë të tjera të ngjashme që e kanë gërryer këtë vend për 17 vjet, ka konsensus  ndër-partiak!

Përfundimisht, nëse klasa politike nuk do të gjej konsensus për sasinë dhe limitet e “alkoolit” që do t’ia injektoj këtij populli përmes ideve të “kontaminuara” politike, atëherë as Brukseli, dhe as Uashingtoni nuk do të mund ta pengojnë shtetin e Kosovës nga goditjet dhe aksidentet e njëpasnjëshme që do t’ia shkaktojmë vetvetes. Dhe aq me keq për fatin tonë, nëse kjo klasë politike nuk reflekton, por vazhdon t’i manovroj dhe instrumentalizoj interesat vitale të shtetit të Kosovës për interesa partiake, krejt çka na mbetet është të shpresojmë së vet-goditjet e pësuara të mos jenë fatale për Kosovën, ashtu siç qenë për Shqipërinë në këto 24 vjet!!

Autori bartë gradën shkencore MSc, dhe këtë titull ka fituar në Universitetin e Shkencave Jetësore të Estonisë. Është ekspert i çështjeve të integrimit evropian dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.