A po ridizajnohet marrëveshja për ta shpëtuar Bllokun LAN

Ramush Haradinaj mund të jetë vetëm edhe për pak ditë i nominuar i Bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje për kryeministër të vendit.

Lajme

04/11/2014 16:14

Për të mos lejuar prishjen e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje, dhe eventualisht një koalicion të mundshëm ndërmjet PDK-së e LDK-së, i nominuari i Bllokut për kryeministër Ramush Haradinaj mund të heq dorë nga ky post për t’ia lënë kreut të LDK-së, Isa Mustafa. 

Burime brenda Bllokut kanë bërë të ditur për Radio Kosovën se përveç ruajtjes së koalicionit, bartja e kandidaturës për kryeministër tek Isa Mustafa, po shihet si opsion i fundit edhe për evitimin zgjedhjeve të jashtëzakonshme. 

Pavarësisht indikacioneve të shumta për mundësinë e ridizajnimit të marrëveshjes, zyrtarët e AAK-së, mohojnë një gjë të tillë. Nënkryetari i kësaj partie Ahmet Isufi, ka thënë se këto janë spekulime. 

“Nuk ka asnjë luhatje në aspektin e realizimit të plotë të marrëveshjes. Këto janë spekulime të qarqeve të caktuara për të sjellë huti në opinion”, ka thënë Isufi për Radio Kosovën.

Ndërkohë, në LDK janë shtuar zërat që kërkojnë ridizajnim të marrëveshjes së Bllokut dhe që Isa Mustafa të kandidohet për kryeministër. 

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri thotë se marrëveshja e Bllokut po respektohet, por nuk e mohon se ajo marrëveshje po rishikohet, porse sipas tij, ky nuk është mekanizëm që kërkon ndryshim pozicionesh, por është proces politik që po shkon në drejtimin e vetë. 

“Se a do të jetë Isa Mustafa kandidat më i mirë për LDK-në, ka qenë gjithmonë kandidati i vetëm i nominuar, por ne kemi një marrëveshje politike të cilën jemi duke e rishikuar. Rishikimi nuk nënkupton largim të njerëzve, por nënkupton përshtatje me situatën e re, apo me rrethanën e re politike”, tha Haziri për Radio Kosovën.

Ndryshe, gjatë fundjavës i nominuari i Bllokut për kryeministër, Ramush Haradinaj nuk ka preferuar të përgjigjet direkt kur është pyetur nëse do ta pranonte postin e zëvendëskryeministrit në kuadër të ridizajnimit të marrëveshjes. Sidoqoftë, ai nuk ka folur me këmbëngulje si më herët se vetëm ai është i nominuar për kryeministër nga Blloku.