A po e shpërblen politika Enver Hasanin me postin e Kryeprokurorit të Shtetit?

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë shumë punë në zgjidhjen e ngërçit politik gjashtëmujor. Atij tani po i përfundon mandati në këtë pozitë. Por një pozitë tjetër e lartë shtetërore në institucione të drejtësisë, vazhdon të jetë pa drejtues. Politika e cila është bërë pengesa kryesore në procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit, duket se këtë pozitë po ia ruan Hasanit.

Lajme

28/03/2015 18:39

Procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit ka hyrë në fazën ku mund të dështojë edhe në herën e dytë radhazi. Projektligji i ri i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, i jep mundësi që të zgjidhet Kryeprokuror edhe dikush që kurrë nuk ka punuar si prokuror apo gjyqtar.

Politika duke u bërë pengesë në zgjedhjen e kryeprokurorit, duket se këtë pozitë po ja rezervon kryetarit aktual të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hsani, për t’ia shpërblyer punën që ai kishte bërë në zgjidhjen e ngërçit politik gjashtëmujor.

Një draft i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, që ka dalë nga kabineti i ministrit Kuçi, ka “liberalizuar” kriteret për t’u bërë kryeprokuror i Shtetit.

Ligji në fuqi nuk lejon që për pozita të larta në Prokurori të kandidojë ndonjë kandidat pa qenë kurrë prokurorë apo gjyqtarë.

Por, me ndryshimet e propozuara i mundësohet kujtdo që ka të paktën 12 vjet përvojë punë si jurist, që të bëjë një gjë të tillë.

Në mos dekretimin e Aleksandër Lumezit për Kryeprokuror të Shtetit, dhe në përgatitjen e terrenit për dikë tjetër, është duke u punuar në tri drejtime. Është ministria e Drejtësisë e drejtuar nga Hajredin Kuçi, presidentja Atifete Jahjaga, dhe Gjykata Kushtetuese e drejtuar nga vetë Enver Hasni.

Ministria e Drejtësisë po e përgatit ligjin e ri, duke ja përshtatur atë edhe ndokujt që nuk ka punuar kurrë në institucione të drejtësisë, presidentja Jahjaga po zvarritë procesin e dekretimit të Kryeprokurorit Lumezi të zgjedhur nga Këshilli Prokurorial, ndërsa Gjykata Kushtetuese duke përdorur fuqinë juridike që ja ofron Kushtetuta, po e stopon dekretimin, duke e çuar procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit drejtë dështimit të dytë.

Gjykata Kushtetuese e drejtuar nga Enver Hasani kishte bërë një punë shumë të madhe, për të mos thënë kryesoren, për rreth gjashtë muaj të ngërçit politik të pas zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar. Ajo bashkë me diplomatët e fuqishëm në vend dhe jashtë vendit dhe presidenten Atifete Jahjaga, ishin gjithashtu më meritorët për zgjidhjen e këtij ngërçi, i cili po rrezikonte funksionimin e shtetit të brishtë të Kosovës.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, gjatë kësaj kohe ishte personi më i atakuar nga politika. Sulmet ndaj tij shkuan deri në atë masë, sa u përdorën edhe shantazhe të formave më të ulëta, të tentim denigrimit të personalitetit të tij, përmes videove ku pretendohej se ai kishte abuzuar seksualisht me studente të tij. Për gjithë këtë, politika duket se e përgatit një terren që Hasanit t’i rezervojë një post tjetër të lartë shtetëror, ndër më të rëndësishmit në drejtësinë e vendit. (lajmi.net)