A po e poshtëron Edi Rama veriun dhe katolikët?

Nga Gjirokastra në Sarandë, nga Pogradeci në Korçë, nga Berati në Vlorë, por shumë më rrallë në qytetet veriore të Shqipërisë.

Lajme

23/03/2015 09:50

Itinerari i vizitave të kryeministrit Edi Rama kryesisht në jug të vendit ka shtuar spekulimet e mediave online në Shqipëri se Rama po e lë pas dore veriun.

Nisur nga zhvillimet e fundit, kur dy deputetë katolikë të veriut janë nën akuzë, ish- kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mendon se askush nuk e ka poshtëruar më shumë veriun dhe katolikët se Edi Rama.

“Askush nuk ka fyer më shumë katolikët, se Edi Rama. Një gjë është e padiskutueshme, poshtërimin që ju ka bërë Edvin Rama katolikëve shqiptarë me përfaqësimin, nuk ju a ka berë kush në 1000 vite. E kujt? Një komuniteti që ka patur në traditë një elitë, një komuniteti qe ka sakrifikuar për kombin.. Dhe është absolutisht e qëllimshme. Asnjëherë nuk ka patur një Parlament me deputetë me rekorde kriminale si sot!”, shkruan ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në Facebook.

Por Edi Rama ka qenë në veri, ishte në Shkodër, shkoi edhe në Fushë Krujë, ndërsa po vazhdon fushatën për legalizimet, duke bërë që të përfitojnë shumë banorë të veriut, të zhvendosur për një jetë më të mirë.

Ajo që mbetet akoma e pasqaruar mirë është se përse u anulua një vizitë e tij në zonën e Burrelit dhe Bulqizës.

Në media është thënë se ai është kërcënuar. Në këtë klimë me kërcënime, shpërthime dhe akuza, disa portale kanë nisur të hamendësojnë se Edi Rama po vesh jelek antiplumb.

Kështu thuhej edhe për Sali Berishën, kur ishte kryeministër, shkruan gazeta Mapo.