A po bëhet drejtësi selektive në Kosovë?

Dënimi ekspres i Alban Morinës për kërcënim e bërë ndaj djalit të kryeministrit Isa Mustafa, Besnik Mustafa dhe Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, nga analistët kosovarë po konsiderohet si privilegj që po u bën sistemi i drejtësisë zyrtarëve qeveritarë dhe familjarëve të tyre, në raport me qytetarët e zakonshëm.

Lajme

02/09/2015 23:45

Analisti Imer Mushkolaj, ka thënë për Telegrafin se ekspres dënimi për Alban Morinën, po tregon se kemi të bëjmë me drejtësi selektive, duke shtuar se “janë mijëra e mijëra lëndë të pazgjidhura të cilat presin në sirtarët e gjykatave, ndërkohë që sipas tij, favorizohet zgjidhja e dy lëndëve që kanë të bëjnë me zyrtarë të shtetit dhe familjarë të tyre”.

Ai nuk mendon se lëndët e zyrtarëve shtetëror ose familjarëve të tyre, nuk është dashur të zgjidhen, por sipas tij, efikasiteti i sistemit të drejtësisë nuk matet me raste të tilla.

“Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë dhe absolutisht nuk do të duhej të ishin prioritet zyrtarët e shtetit. Për më tepër, sa e sa kërcënime iu bëhen çdo ditë gazetarëve dhe organet përgjegjëse nuk reagojnë. Sa e sa raste shumë më të rënda presin zgjidhje. A do të thotë kjo se gjithsesi duhet të jesh pjesë e qeverisë ose djalë kryeministri, që drejtësia të tregohet efikase Të gjithë qytetarët nuk mund të jenë të tillë”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.

Ai më tutje ka theksuar se rastet si ky vetëm sa do ta thellojnë krizën e besimit në sistemin e drejtësisë, imazhi i të cilës sipas tij, edhe ashtu është seriozisht i dëmtuar.

“Qytetarët me të drejtë nuk i besojnë një sistemi të tillë, ku qeveritarët janë të privilegjuar edhe në rastet ku parimi i barazisë do të duhej të vlente për të gjithë njësoj”, ka thënë Mushkolaj.

Publicisti dhe analisti Arben Ahmeti, ka theksuar për Telegrafin se duhet ta dimë se për një verifikim të një vendimi të Gjykatës Themelore nga Gjykata e Apelit, në rastin Ramadan Muja, është dashur të kalojë një vit e gjysmë.

Sipas tij, arsyetimi për këtë kohëzgjatje, ka qenë për shkak të numrit të madh të lëndëve.

“Në asnjë vend të botës e as tek ne, apeli nuk vonohet më shumë se themelorja. Këtu kemi një vendim të shpejtë, gjë që dëshmon për ndërhyrje të fortë politike, e që është turp për sistemin e drejtësisë, por që nuk e nderon as Qeverinë Mustafa”, ka thënë ai.

Sipas tij, shumë gazetarë kanë pasur kërcënime edhe më të rrezikshme dhe të drejtëpërdrejta se sa djali i kryeministrit, dhe se lëndët e tyre sipas tij, ende janë nëpër gjykata.

“Ju garantoj se jeta e tyre nuk është fare më pak e vlefshme sesa e Besnik Mustafës, që paska qëlluar të jetë djali i Isa Mustafës. Pavarësisht se veprimi i kërcënimit ka qenë i papranueshëm, jam i bindur se kjo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë tejkalon mirëkuptimin”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Alban Morina është dënuar të martën nga Gjykata Themelore e Prishtinës me tre muaj burgim dhe i është caktuar menjëherë masa e buajtjes së dënimit, për shkak se “ka kërcënuar me djegie me benzinë Besnik Mustafën, djalin e kryeministrit Isa Mustafa” dhe me “varje te semaforat”, ministrin e Punës, Arban Abrashi, siç ka thënë ai, pas një revolucioni që do të ndodhë në Kosovë.