A kanë ujë ato burime?

Burimet e ujit që gjenden në Parkun e Gërmisë do të përdoren për të furnizuar qytetin me ujë. Nëse bëhen investimet e duhura në rrjet të ujësjellësit, Kryetari Shpend Ahmeti premton se Prishtina do të ketë ujë pa ndërprerë brenda 24 muajve.

Lajme

21/02/2014 13:42

Parku i “Gërmisë” ka burime të ujit të cilat asnjëherë nuk janë përdorur për furnizimin e qytetit të Prishtinës.

Por, duke u gjendur në një gjendje të rënd, sa i përket rezervave të ujit, Kryetari Shpend Ahmeti, sot vizitoi parkun e “Gërmisë”, ku tha se do të fillojë identifikimi i këtyre burime, në mënyrë që të përdoret uji për furnizim të qytetarëve.

“Më herët kemi filluar me identifikimin e burimeve të ujit në parkun e Gërmisë. Ka shumë burime të ujit këtu, që asnjëherë nuk janë përdorur për furnizimin e qytetit me ujë, por janë përdorur vetëm për mbushjen e pishinës së Gërmisë. Këtu janë disa gypa përmes të cilëve furnizohen edhe lokalet e kësaj pjese”.

Kryetari Ahmeti tha se Komuna së bashku me Ujësjellësin javën tjetër do të fillojnë shpimet e reja për hapjen e puseve në këtë zonë.

Ai tha se me burimet e ujit në Gërmi, në Fushën e Pajtimit, në Llukar dhe me mbushjen e Badovcit nga liqeni i Ujmanit dhe me investimin prej 17 milionë euro në rrjetin e Prishtinës, kryeqyteti brenda 24 muajve do të ketë 24 orë ujë.

“Ne sot do t’i dërgojmë edhe një kërkesë zyrtare Kompanisë së Ujësjellësit, ku do të kërkojmë një bashkëpunim dinamik dhe më të ngushtë lidhur me hartat që kemi për burime nëntokësorë të ujit në mënyrë që të fillojnë shpimet, të ndërtohen puse të reja, dhe të lidhen ato me Ujësjellësin”.

“Me burimet e ujit në Fushën e Pajtimit, në Llukar, në Gërmi, me investimet e nevojshme në lumin Kaçandoll, me mbushjen e liqenit të Badovcit nga Ujmani që po e bën Ibër-Lepenci, dhe me investimet prej 17 milionë euro në rrjetin e Prishtinës, brenda 24 muajve do të kemi 24 ujë për të gjithë qytetarët tanë”, tha Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Burimet nëntokësore të Kolovicës dhe burimi i Gërmisë paraqesin resurset natyrore prej të cilave është furnizuar Qyteti i Prishtinës në vitet 1950-1970.