A ka mosmarrëveshje brenda LDK-së për kandidatët për Prishtinën dhe Prizrenin!?

Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani ka zyrtarizuar pothuajse të gjithë emrat e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale.

Lajme

21/08/2017 23:30

Por, kjo parti ende nuk ka arritur të dal me emrat për dy nga kryeqendrat e Kosovës, bëhet fjalë për Prishtinën dhe Prizrenin, shkruan lajmi.net

Edhe pse gjatë ditëve që lamë pas zyrtarë të LDK-së premtuan se të hënën do të dalin me emrat e kandidatëve edhe për këto dy komuna, kjo nuk ndodhi.

Nga mbledhja e kryesisë që u mbajt sot, partia nuk arriti të marrë një vendim se me cilët kandidatë do të synojnë t’i futen garës zgjedhore në Prishtinë dhe Prizren.

“Nesër vendosim edhe për kandidatët për Prishtinën dhe Prizrenin”, tha nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Si kandidat të mundshëm për të parin e Prishtinës janë përmendur Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Arban Abrashi dhe Ismet Beqiri.

Këta dy të fundit spekulohet se janë në një garë më të fortë, dhe se Ismet Beqiri do të kandidohet vetëm nëse Abrashi e refuzon këtë post.

Kurse për Prizrenin gjithashtu në garë janë Driton Selmanaj dhe Hatim Baxhaku, ky i fundit i cili ka përkrahjen e shumicës së degëve në Prizren.

Kurse Selmanaj po përkrahet nga kryesia qendrore e LDK-së.

Por, gjithçka do të bëhet zyrtare deri nesër më së largu në orën 00:00 kur është afati i fundit për certifikim në KQZ. /Lajmi.net/