A janë tradhtar ata që duan të luajnë për shtetin e tyre, për Kosovën?

Një gjë mbetet e sigurt, Republika do të bëhet prej më të mirëve të saj. Të shajnë e ofendojnë sa të donë. Të sharët atje janë heronj këndej. Kështu po i gdhendë populli i Kosovës.

Opinion

16/08/2016 20:44

Shkruan: Lumir Abdixhiku

Sharjet, fyerjet e ofendimet drejtuar ndaj Rashicës e Mehës sot – Majlindës dje – nga një pjesë jo e vogël e shqiptarëve në Shqipëri, qytetarë e kritikë të njohur pa dallim (konsideratë shumë për përjashtimet), tregojnë një anë të vërtetë, dhe të errët, të relacioneve tona.

Në vend të falënderimit për kontributin e deritanishëm e gëzimit për Kosovë siç gëzohemi ne për Shqipëri për secilën gjë, këta sportistë që sot përfaqësojnë ëndrrën e Kosovës, marrin trajtime të trishtueshme e ofenduese, të tilla që kam dëgjuar pak herë më parë. Shihni profilet e futbollistëve në fjalë. Lexoni sot shkrimet e kritikëve atje. Na quajnë pro-serb, turko-arab, e jo-shqiptarë; këta të pendës po bëhen më të “butë”, po na thonë tradhtarë. Tradhtarë veçse zgjedhim të mbrojmë shtetin e dytë shqiptar, atdheun tonë – Republikën.

Për të tillët Kosova s’është shqiptare. Shqiptare qenka dërgimi i më të mirëve atje për kënaqësinë e zotëroteve – po kurrë i tyre tek ne. Shqiptare qenka paterniteti i tyre ndaj indiferentëve tanë; janë mësuar me ambasadorët tanë analfabetë. Shqiptare qenka dobësimi i qëllimshëm i Kosovës, turpërimi i saj nëpër botë. Mos bëni ju suksese, suksese bëjmë veç ne. Po dini valla. Çfarë marrëzie. Ç’është e vërteta, sot s’ka asgjë më shqiptare se sa forcimi i Kosovës. Joshqiptare është mosgëzimi për sukseset e Kosovës. E ka veç një vend që s’i gëzohet kësaj – i kemi fqinj në veri.

Një gjë mbetet e sigurt, Republika do të bëhet prej më të mirëve të saj. Të shajnë e ofendojnë sa të donë. Të sharët atje janë heronj këndej. Kështu po i gdhendë populli i Kosovës.

(Marrë nga llogaria e Lumir Abdixhikut në Facebook – titulli është i redaksisë)