A ishte gabim shtyrja e seancës së paraparë të mbahet më 2 tetor

Ka analistë që vlerësojnë se Flora Brovina ka bërë një gabim shumë të madh me shtyrjen e seancës. Por, ka edhe të tillë që mendojnë se mirë ka bërë Brovina që e ka shtyrë seancën, pasi ajo nesër do të mbahej vetëm sa për sy e faqe. 

Lajme

01/10/2014 22:07

Naim Rashiti vlerëson se Brovina ka rol simbolik dhe nuk është dashur të shtyjë seancën e 2 tetorit.

“Zonja Borvina nuk ka të drejtë të bëjë këtë. Nuk mund të marrë ajo vendim për shtyrjen e seancës, por konsulta me partitë politike. GABIM SHUME I MADH. Roli i zonjës Brovina ka shumë limite prandaj ajo duhet t’i respektojë ato kufizime”.

“Ajo ka rol shumë simbolikë në këtë punë dhe nuk duhet ta keqpërdorë këtë detyrë. E PDK duhet të ofrojë zgjidhje dhe të tregojë e dëshmojë se nuk i bllokon institucionet, ka shkruar më tutje Rashiti në Facebook.

Sipas tij, involvimi kaq i vonshëm i Presidentes nuk do të gjejë zgjidhje të shpejtë dhe vështirë se do t’i bindë liderët për marrëveshje.

“E blloku LAN-VV ta kuptojë se nuk do të marrë postin e kryetarit të parlamentit dhe duhet t’i rishikojë marrëveshjet e veta. Ata kanë të drejtë legjitime të ofrojnë alternativë për një shumicë parlamentare, e cila do të mund të krijonte qeverinë, por assesi të mos respektojë vendimet e Kushtetueses. Interpretimet e tyre për pikat 126 dhe 127 janë shtrembërime”, vlerëson Naim Rashiti.

Ai ka edhe porosinë e tij për zgjidhjen e këtij ngërçi:

PDK të mos e shtyjë më seancën, LAN-VV të votojë kandidatin e PDK-së për kryetar kuvendi. Dy kampet duhet të ndalin veprimet e tyre. Kjo konkludon me: Ofroni Zgjidhje ose nëse jo zgjidhje të shpejtë, zgjedhje”, shkruan Rashiti.

Ndërkaq, Adriatik Kelmendi thotë se nëse PDK nuk i siguron numrat, a do ta shuajë edhe parlamentin si institucion.

“Megjithatë, seanca e caktuar gjithsesi është dashur të mbahej. Në të parën “Grupi më i madh parlamentar” inspektoi vullnetin e deputetëve dhe e vërtetoi se LAN i ka numrat.

Në të dytën “kujtoi” se i ka numrat, por nuk i dolën. Në të tretën e diti se nuk i ka numrat dhe s’mori mundin as të “dalin në punë” në Kuvend!

Me këtë precedent të rrezikshëm pyetja që mbetet është – nëse PDK-ja nuk i siguron numrat, a do ta shuaje edhe parlamentin si institucion?!

Gabim, shumë gabim!”, shkruan Kelmendi.

Ndërkaq, analisti Imer Mushkolaj e përkrah anulimin e vazhdimit të seancës, pasi, sipas tij, ajo ishte e destinuar që të dështonte.

“Së pari, besoj që një seancë vetëm sa për ta kaluar radhën, në kuptimin vetëm sa për të thënë se u mbajt, në mënyrë simbolike, nuk ia vlen. Me këtë logjikë, pa dashur të them se është mirë që është shty seanca, duhet të them se seanca është dashur të mbahet, mirëpo paraprakisht të dihet qartë se çfarë do të ndodhë në atë seancë”, tha për Indeksonline Mushkolaj.

Ai mendon se seanca e radhës duhet të thirret sa më shpejt, por jo pa qenë i qartë skenari i saj.

“Unë besoj se seanca duhet të thirret sa më shpejt, por paraprakisht duhet të të jetë i qartë skenari i seancës. Nuk ka kurrfarë arsye që të mbahet edhe një seancë vetëm sa për sy e faqe. Pra, është e nevojshme paraprakisht që të arrihet një konsensus, të fillojë komunikimi mes dyja palëve, në mënyrë që të bëhet e qartë sa çfarë do të ndodhë në seancën e radhës”, tha Mushkolaj.