A ishin 66 apo 16 mijë veteranë të UÇK-së, do të dihet në janar 2015

Kanë kaluar dy vjet prej se ka filluar verifikimi i statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, por ky proces është duke vazhduar ende. Në Komisionin e verifikimit thonë se kanë mbetur pa u verifikuar edhe 6 mijë aplikacione, por i gjithë procesi do të përfundojë në mesin e janarit 2015.

Lajme

24/12/2014 17:23

Mirëpo, përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, i kanë dhënë ultimatum Komisionit Qeveritar se nëse deri me 1 janar veteranët nuk përfitojnë nga benefitet, atëherë këta të fundit do të protestojnë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e OVL-UÇK tregojnë se deri më tani janë verifikuar rreth 60 mijë aplikues dhe kanë mbetur edhe 6 mijë ende pa u verifikuar. Sipas tyre, ky proces pritet të përfundojë nga mesi i muajit janar.

Smajl Elezaj, ushtrues detyre i kryetarit të veteranëve të OVL-UÇK, ka thënë për KosovaPress se nga 66 mijë, sa kanë aplikuar, deri më tani janë verifikuar vetëm 60 mijë.

Elezaj ka njoftuar se më 29 dhjetor do mbahet takimi i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, ku do të shihet se sa kanë përfituar nga këto tri kategori të dala nga lufta.

“Nuk ka qenë e afatizuar se kur të përfundojë, ka qenë një verifikim, një punë e komplikuar, është dashur që të vijën nga terreni udhëheqësit e brigadave dhe të ulen e të vlerësojnë çdo aplikacion një për një, kështu ka qenë…besoj se nga mesi i janarit do të përfundojë i gjithë ky proces”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Xhevdet Qeriqi, përfaqësues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka deklaruar se nuk do të presin mesin e janarit për të përfunduar këtë proces, ngase, siç ka deklaruar ai, ky proces është stërzgjatur.

Ai ka thënë se nëse veteranët nuk do të fillojnë t’i marrin beneficionet që u takojnë nga data 1 janar 2015, atëherë këta të fundit do të protestojnë.

“Në rast se nuk do të përfundojë procesi i verifikimit deri më 1 janar dhe të fillojë dhënia e benificioneve për veteranët e luftës, ne jemi të gatshëm të dalim në protesta për arsye se nuk po e shohim një seriozitet të Komisionit…Ne e kemi përkrahjen e veteranëve të vërtetë, të cilët janë në një gjendje të mjerueshme… Asnjë deklaratë e tyre nuk ka qenë e saktë, disa herë kanë dhënë afate që ky proces do të përfundojë këtë muaj apo tjetrin, por me vet faktin se po kalojnë dy vjet tregon se nuk ka seriozitet në këtë punë. Unë kisha kërkuar që nga kryetari dhe gjithë anëtarët e Komisionit që t’u sqarojnë veteranëve se pse po bëhen këto vonesa, a e meritojnë veteranët e vërtetë që të jetojnë në këtë gjendje shkaku i mos punës së tyre”, tha ai për KosovaPress.

Nga ana tjetër, Elezaj, njoftoi se pas përfundimit të procesit të gjithë ata veteranë që do të ndahen të pakënaqur me vlerësimin e bërë, do të kenë mundësi të ankohen brenda periudhës njëmujore.

Qeriqi, ndëkrkaq, ka mohuar se numri i 66 mijë veteranëve të jetë i vërtetë, pasi që, sipas tij, veteranë nuk ka më shumë se 16 mijë.

“Veteranët e vërtetë kanë qenë ata të cilët kanë qenë në luftë, nuk kanë qenë veteranë 66 mijë aplikues, unë flas në emër të atyre që kanë qenë në luftë…Numrin e tyre të saktë nuk mund të ju them, por diku sillet rreth 16 mijë veteranë të vërtetë, në bazë të deklarimeve të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm që e kam pasur gjatë takimeve me ta dhe ata janë deklaruar se ka qenë diku rreth 16 mijë numri total i veteranëve që kanë marrë pjesë në luftën direket të UÇK-së”, tha ai. (KosovaPress)