A i shkel kuota gjinore të drejtat e njeriut?

Në një vend ku politika shihet si mjedis i përshtatshëm vetëm për burra, debati në lidhje me barazinë gjinore kufizohet vetëm te kuota, duke u munduar në këtë mënyrë që ta kufizojnë pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje me numra.

Opinion

08/04/2015 10:59

Në diskursin politik dhe publik në Kosovë mbizotëron një ide e përgjithshme se barazia gjinore është një ndër vlerat themelore të zhvillimit demokratik të shoqërisë. Për më tepër përfaqësimi i barabartë i gruas në politikë konsiderohet të jetë shumë i rëndësishëm duke u bazuar në faktin se gratë përbëjnë rreth 50% të popullsisë në Kosovë. Shpeshherë Kosova merret si shembull për përfaqësimin e grave në jetën politike dhe institucionale duke u bazuar në mundësitë që ju ofrohen legjislacioni në fuqi grave.

Por a është kjo e vërtetë në praktikë? A ka përfaqësim të drejtë të grave në poste vendimmarrëse? A është kuota gjinore e mjaftueshme për një përfaqësim të barabartë dhe të drejtë të të gjithëve në jetën publike, sidomos atë politike të vendit? Këto janë disa nga pyetjet që lindin natyrshëm kur përballesh me realitetin e përditshëm politik në Kosovë.

Në një vend ku politika shihet si mjedis i përshtatshëm vetëm për burra, debati në lidhje me barazinë gjinore kufizohet vetëm te kuota, duke u munduar në këtë mënyrë që ta kufizojnë pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje me numra.

Është e padiskutueshme që kuota është një instrument shumë i rëndësishëm afirmativ për pjesëmarrjen e grave në jetën politike, por kufizimi i debatit vetëm te e drejta e grave për t’u përfaqësuar me kuotë, e mohon kontributin e tyre në vend duke e zhvlerësuar në këtë mënyrë aktivizimin dhe punën e përhershme institucionale të tyre.

Legjislacioni në fuqi e afirmon të drejtën e grave për tu përfaqësuar në të gjitha institucionet publike, por në mënyrë që të këtë një përfaqësim të vërtetë të tyre duhet të ketë një ndërgjegjësim dhe ndryshim në mentalitetin e shoqërisë që të mënjanohen pengesat duke garantuar mundësi dhe përfitime të barabarta për gratë në të gjitha sferat e jetës.

Jeta politike në Kosovë vazhdon të mbetet një ambient i mbizotëruar nga burrat, ndërsa gratë përgjithësisht shërbejnë vetëm si numër për të plotësuar kuotat. Për ta ndryshuar këtë gjendje duhen të ndërmerren masa konkrete sidomos nga partitë politike dhe institucionet vendore, por mbi të gjitha nga vetë gratë në parlament, duke kërkuar përfaqësim të drejtë e të denjë dhe duke mos i pranuar politikat diskriminuese të liderëve të partive të tyre.

Debati për kuotën u risjellë sërish në vëmendje në skenën politike në vend me lëvizjen e fundit të ndërmarrë nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët nisur nga fakti që në qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 2014-së ka vetëm dy ministre gra, kërkuan që Kushtetuta të amandamentohet në mënyrë që të vendoset kuota e përfaqësimit jo më pak se 40% për secilën gjini, në postet e ministrave dhe zëvendësministrave së Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese me arsyetimin se pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara në Kapitullin II dhe III të Kushtetutës.

Është fakt se deri më tani gratë nuk janë përfaqësuar më shumë se në masën 10-15% në postet ministrore në qeveritë e pasluftës, por ky mospërfaqësim nuk ka ardhur si mungesë e legjislacionit për kuotë. Ligji për Barazi Gjinore i 2004-ës parasheh që gratë të mbajnë 40% të posteve të emëruara në qeveri, por mungesa e vullnetit politik të liderëve partiakë për ta zbatuar atë ka sjellë një përfaqësim të pamjaftueshëm të grave në poste vendimmarrëse.

Mos zbatimi i këtij ligji nuk është një arsye e mjaftueshme që kuota të bëhet normë kushtetuese, pasi Kushtetuta e Kosovës ka garanci të mjaftueshme për sa i përket barazisë gjinore. Duke pasur parasysh rëndësinë e krijimit të kushteve të përshtatshme për tejkalimin e pengesave për pjesëmarrjen e grave në politikë dhe në administratë, do të ishte më e udhës që të ndërmerren hapat e duhura për hartimin e ligjit për Qeverinë.

Gjithashtu duhet rishqyrtuar Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligji për Zgjedhjet si dhe duhet garantuar zbatimi i tyre, përfshirë sanksionet dhe dënimet për çdo shkelje. Për më tepër, partitë politike duhet të jenë të hapura ndaj frymës së kuotës gjinore dhe të zhvillojnë politika për rekrutimin, mbështetjen dhe përgatitjen e grave si kandidate të suksesshme. Nga ana tjetër, vetë gratë, sidomos ato në parlament, duhet të jenë aktive në mbrojtjen e interesave të përbashkëta.

Kuota është thelbësore në jetën politike të Kosovës, por ajo duhet parë si një kuadër rregullator që ndihmon ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive dhe të barabartë të grave në vendimmarrje dhe jo thjesht si një detyrim ligjor.

Kuadri ligjor ekzistues në masën më të madhe e garanton pjesëmarrjen e gruas në politikë, por realiteti tregon që problemi i vërtetë qëndron te vullneti politik për implementimin e tij.

Ka gjithmonë hapësira për rregullimin dhe përmirësimin e legjislacionit aktual, por përpara se të ndërmerren hapa kushtetuese në lidhje me këtë çështje, të cilat do të ishin shumë të vështira për tu ndryshuar në të ardhmen, duhen shqyrtuar, zbatuar dhe përmirësuar të gjitha mundësitë që ofron ky legjislacion.

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D).  Salloni ka format gjysmë-formal sipas rregullës Chatham House dhe pa prani të mediave. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.