A gënjeu Vuçiq kur tha se agjenti serb u fut në Kuvendin e Maqedonisë me leje?

Përfshirja e agjentit serb në ngjarjet e 27 prillit, sipas presidentit serb Aleksandër Vuçiq është bërë me bekimin e kreut shtetëror të Maqedonisë.

Lajme

23/08/2017 21:40

Këtë e shpalosi mbrëmë presidenti serb në një intervistë për radio televizionin e Serbisë. Por sipas ish Ministrit të Punëve të brendshme Pavle Trajanov e rëndësishme është që të dihet se kush i ka dhënë leje agjentit serb të marrë pjesë në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.

Ai njeri, ai zotri Zhivaleviq nuk ka shkuar atje kokë në vete, nuk më ka pyetur as mua e as kënd tjetër në vendin tonë edhe pse para neve duhet të jap llogari. Ai I ka pyetur drejtpërsëdrejti përfaqësuesit më të lart shtetëror të Maqedonisë , ju ka thënë se dëshiron të jetë atje dhe a keni diçka kundër dhe a më lejoni? Dhe ata kanë qenë plotësisht në dijeni për prezencën e tij aty- deklaroi Vuçiq.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe agjenti serb, Goran Zhivaleviq, i cili natën e dhunës në Kuvendin e Maqedonisë kishte qenë prezent, transmeton lajmi.net.

Mirëpo, partia VMRO-DPMNE e cila aso kohe ishte në pushtet në Maqedoni sot ka mohuar pohimet e Vuçiqit dhe Zhivaliqit që institucionet maqedonase t’ia kenë dhënë pajtimin diplomatit serb.

“VMRO-DPMNE, marrë para sysh se tash është në opozitë, në kuadër të mundësive që ka, ka bërë verifikimet e veta dhe ka konfirmuar se as Ministria e Punëve të Jashtme, as Qeveria, as Parlamenti, as Ministria e Punëve të Brendshme ose agjencitë informative, nuk kanë marrë asnjë kërkesë dhe as që është dhënë pëlqimi për atë leje”, thekson partia e Nikolla Gruevskit.

Tutje kjo parti ka ftuar Qeverinë që të verifikojë se a ka qenë kështu dhe nëse po, atëherë ta publikojë dokumentin cili institucion ia ka lejuar atij këtë kërkesë.

Ish këshilltari (agjent i BIA-serbe) për siguri në Ambasadën e Serbisë në Maqedoni, Goran Zhivaleviq ka mohuar se institucionet e Maqedonisë të mos i kenë dhënë leje për t’u futur në Parlamentin e Maqedonisë. /Lajmi.net/