A është kërkuar ndryshimi i Kushtetutës dhe kur do të përfundojë drafti për Asociacionin, flet Avni Arifi

Avni Arifi, shef i ekipit negociator për bisedimet teknike me Serbinë, në një intervistë për lajmi.net, ka folur rreth Ekipin Menaxhes të Asociacionit, përbërjen e tij, statutin përfundimtar të kësaj marrëveshje me Serbinë dhe çështje të tjera në lidhje me këtë temë.

Lajme

20/06/2018 14:30

Arifi ka thënë se Kosova është e interesuar që ta përmbyllë çështjen e Asociacionit më herët se ç’është paraparë nga Bashkimi Evropian, katër muaj, mirëpo insiston që kjo do të bëhet vetëm në përputhje të plotë me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

Një gjë të tillë, sipas shefit negociator, është e paraparë edhe nëmarrëveshjen e nënshkruar në Bruksel dhe është thënë edhe nga vet shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.

“Mogherini gjatë vizitës së saj në Kosovës, në vitin 2016, publikisht ka thënë se statuti dhe Asociacionin duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës. Ky është qëndrim i bashkësisë ndërkombëtare. Marrëveshja e Brukselit e parasheh që kjo të shkojë në Gjykatë Kushtetuese direktiva dhe statuti i Asociacionit dhe kjo do ndodhë”, ka thënë Arifi.

Një pjesë të intervistës me shefin për negociata me Serbinë, ku flet për Asociacionin e gjeni më poshtë:

Lajmi.net: Ekipi Menaxhues i Asociacionit ka filluar punën muajin e kaluar, ky ekip përbëhet prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, pse nuk është asnjë shqiptarë?

Avni Arifi: Ne e kemi trashëguar marrëveshjen e Brukselit nga qeveria e mëparme, ka qenë marrëveshje e tillë ka qenë marrëveshje ndërkombëtare, pavarësisht vullnetit dhe besimit tonë se përbërja e saj të ndryshojë dhe të kompozohej nga ekspert të çështjeve të ndryshe, Bashkësia ndërkombëtare ka insistu që kjo është marrëveshje ndërkombëtare dhe Kosova duhet ta zbatojë si të tillë. Andaj, marrëveshje thotë se këta përfaqësues të jenë serbë të jenë ekspert dhe të përbëjnë draftin e statutit.

Lajmi.net: Gjithashtu kemi parë takime të shumta që Ekipi Menaxhes i Asociacionit ka zhvilluar me kryetaret e komunave serbe, por edhe takime tjera që përfshinë vetëm komunitetin serb, a ka pasur dhe pse nuk ka takime me shqiptarët?

Avni Arifi: Unë nuk kam pasur takim me ta, ata takohen me ministrin e Pushtetit Lokal, por jo edhe me ekipin negociatorë. Ata kanë një mandat, mandati i së cilëve është direktiva e statutit, direktiva e së cilit dhe vet statuti do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe do të konfirmohet se është nëpërputhje me kushtetutën e Kosovës. Nuk është shumë e rëndësishme se më kënd takohen apo me kënd konsultohen, a fillojnë tash statutin me draftu apo e kanë draftu apo ua ka dhënë dikush, nuk është shqetësim. Shqetësim i Kosovës është vetëm dita kur e sjellin ata, me pas a pajtohet politika e Kosovës me atë draft, dhe mbi të gjitha a është brenda kornizave të kushtetutës së Kosovës.

Lajmi.net: Është diskutuar shumë rreth statutit të Asociacionit, si do të jetë statuti i AKS-së?

Avni Arifi: Statut që është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Cili do të jetë, çka do të përmbajë varet nga ata që e draftojnë, zyrtarë që janë të lidhur në relevancë të bëjë vlerësimin e tij, por politika do të bëjë vlerësimin dhe në fund Gjykata Kushtetutës.

Lajmi.net: 22 pika të marrëveshjes së Asociacionit janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo Serbia insiston që marrëveshja në fjalë të bëhet vetëm sipas marrëveshjes fillestare, asaj të nënshkruar në Bruksel. Cilat janë pikat që Serbia nuk po pajtohet të ndryshojnë brenda marrëveshjes, por që bien ndesh me kushtetutën?

Avni Arifi: Nuk është relevante për mua çka dikush mundet me mendu, për mua është relevante çka Gjykata Kushtetuese mendon. Nëse Gjykata Kushtetuese thotë se është në kundërshtim me Kushtetutën nuk me intereson as përmbajtja. Nëse nuk është në përputhje me Kushtetutën nuk më intereson çka tjerët mendojnë. Nuk kam mandat as unë as askush me aporvu diçka që nuk është në përputhje me kushtetutën, as më parë kur marrëveshja e Brukselit e parasheh që kjo të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

Nëse ne e dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese aty e konfirmohet shkelje dhe e aprovojnë në nuk po e respektojmëmarrëveshjen e Brukselit.

Lajmi.net: A ju është kërkuar ndonjëherë të ketë pazare, kushtimisht po themi, për ndryshime kushtetuese për t’iu përshtatur Asociacionit?

Avni Arifi: Mogherini gjatë vizitës së saj në Kosovës, në vitin 2016, publikisht ka thënë se statuti dhe Asociacionin duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës. Ky është qëndrim i bashkësisë ndërkombëtare. Marrëveshja e Brukselit e parasheh që kjo të shkojë në Gjykatë Kushtetuese direktiva dhe statuti i Asociacionit dhe kjo do ndodhë.

Lajmi.net: Bashkimi Evropian ka kërkuar që statuti për Asociacionin të formohet brenda 4 muajve, a do të arrihet të formohet ky statut në kohë optimale, deri në shtator?

Avni Arifi: Varet nga shumë faktorë. Tek ne gatishmëria është, jemi të përkushtuar, të mobilizuar që këtë proces ta kryejmë edhe më shpejt pse jo.

Kjo varet nga shumë aspekte, nga ajo që do të përmbajë drafti, çfarë do të ketë statuti, cilat elemente do t’i ketë, cili do të jetë qëndrimi i politikës së Kosovës ndaj asaj çka përmban statuti dhe njëkohësisht cili do të jetë qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese. Përndryshe ne jemi të interesuar ta kryejmë më shpejt se katër muaj, jemi të interesuar t’i kryejmë obligimet që ka marrë Kosova, por ato obligime duhet të jenë në përputhje të plotë me Kushtetutën. /Lajmi.net/