A është i pranueshëm shkëmbimi territorial: Lugina e Preshevës për Mitrovicën?!

Revista serbe “Ekspres” në numrin më të ri shkruan se zgjidhja e pranueshme edhe për serbët edhe për shqiptarët është shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

29/06/2018 20:06

“Ekspres” me titullin kryesor “Presheva për Mitrovicë” dhe me fotografinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan se ideja për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, ku Lugina e Preshevës do të jepej për veriun e Kosovës, ndoshta nuk është reale, por, sipas pohimeve nga Beogradi, deri vonë ishte e pranueshme për të dy palët.

“Vetëm në 100 vjetët e fundit kufijtë e Evropës kanë ndryshuar të paktën 37 herë”, thuhet në analizën e kësaj reviste, transmeton lajmi.net.

Sipas saj, shtetet ndahen, copëtohen, por edhe bashkohen. “Krijojnë aleanca dhe luftojnë njëri me tjetrin” shkruan kjo javore duk e pyetur pse për Perëndimin ndryshimi i kufijve në Ballkan është temë tabu”, shkruan “Ekspres”.

Ideja e shkëmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ekziston që nga paslufta e vitit 1999. Megjithatë, në vazhdimësi politika kosovare e ka hedhur poshtë këtë ide. Më i zëshëm dhe i vetmi në Kosovë për shkëmbim të territorit ndërmjet dy vendeve, është nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i cili është edhe kryetar i Gjilanit.

“Këmbimi i territoreve do të ishte hap drejt ndarjes etnike, të cilën serbët nga veriu dhe shqiptarët nga jugu, që në ato rajone e bëjnë shumicën, me siguri se do ta pranonin me gëzim porse ata nuk pyeten”, shkruan revista e përjavshme serbe.

Në anën tjetër, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, njëri nga më të zëshmit e kësaj ideje, para disa muajsh ka thënë se “shqiptarët do ta pranonin këtë ide sikur të bisedonin për të pa mentorët e tyre”. E mentorët e tyre, sipas tij, edhe më tej nuk e duan ndryshimin e kufijve.

Ndarja apo shkëmbimi i territoreve ndërmjet dy vendeve është hedhur poshtë edhe nga fuqitë botërore të përfshira në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. /Lajmi.net/