A e shpëtoi Thaçi, Mustafën nga turpërimi me trenin serb?

Të shtunën në mëngjes, Beogradi ishte në festë: Po e nisnin trenin e parë drejt Kosovës pas 18 vjetësh. E kishin bërë gati lokomotivën e dhuruar nga Rusia, kurse vagonët ishin sikur të hysh në ndonjë manastir.

Lajme

15/01/2017 09:48

Ikonografia kishtare dhe mbishkrimet “Kosova është Serbi” në 20 gjuhë të botës, përfshirë edhe gjuhën shqipe, e bënin këtë tren më shumë se provokues për Kosovën. Ishte tren që nxite konflikt të hapur.

Megjithatë, doli ajo që të gjithë e duartrokitën në Kosovë. Treni u ndalua në Rashkë dhe u kthye nga kishte ardhur, shkruan lajmi.net.

Ndërkohë trenin po vinte teposhtë për në Kosovë, qytetarët kërkonin përgjigje të shtetit ndaj këtij provokimi të hapur nga Serbia. Por, kryeministri i vendit, ai i cili do të duhej t’i merrte gjerat në dorën e tij, nuk kishte zë.

Në kohën derisa treni po i afrohej kufirit me Serbinë, Mustafa po ligjëronte për ekonominë në një universitet.

Mirëpo, ishte presidenti i vendit, Hashim Thaçi ai që pasditen e së shtunën mblodhi në zyrën e tij ministrin e Punëve të Brendshme, Skendër Hysenin dhe shefin e policisë, Shpend Maxhuni, për t’i urdhëruar që të dërgonin njësitin ROSU në Jarinje, në pikën kufitare me Serbinë.

Ai tha se ju kishte dhënë urdhër atyre që me çdo çmim mos të lënin trenin të hynte në Kosovë.

Dhe kur gjërat po shkonin drejt tendosjes, u dha lajmi se kryeministri Mustafa gjendet në zyrën e tij. Megjithatë, derisa aso kohe dhe ditëve përpara kur ishte paralajmëruar hyrje e trenit, Mustafa ishte krejësisht i heshtur.

Mustafës ia kërkuan edhe dorëheqjen nëse treni hynte në Kosovë. Por, duket se Mustafën nga turpërimi si kryeministër e shpëtoi presidenti Thaçi.

Se Thaçi e shpëtoi me “faqe të bardhë” Mustafën e tha edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai tha se ishte Thaçi që dha urdhër të ndalohej treni. /Lajmi.net/