A e meriton Shpendi një shtrat në Dyz?

Dje më erdhi rasti të udhëtoj me autobusin e ri të Kompanisë Publike, në drejtim të Fushë –Kosovës. T’ju them të drejtën u zhgënjeva shumë kur hyra brenda dhe pashë konstruksionin e brendshëm dhe dëgjova një zhurmë shurdhuese të motorit, si të ishte e prodhimit rus.

Opinion

08/03/2017 09:42

Kur u ula në karrige në pjesën e  pasme, tejet të papërshtatshme, më dukej vetja se po udhëtoja mbi shpinë të gomarit.

Përbërja e brendshme dhe çmimi astronomik prej 230 mijë eurosh i paguar për një autobus, me shqetësuan, dhe nuk munda këtë shqetësim të mos e ndaj me disa policë që kishin përfunduar orarin dhe ktheheshin në shtëpitë tyre.

Atyre u thash shkoqur, se edhe me çekiçin e Hasan Shkumës po të ishin ndërtuar këta autobusë kaq të thjeshtë, vështirë se do të mund ta kapërcenin shifrën e 80-100 mijë eurove, e lere më të jepet gjithë ajo sasi parashë.

Nga ajo që pashë, u binda se në tenderin e  autobusëve me çmime astronomike ka pasur fryerje të madhe të çmimit, ndaj Prokurorisë së Shtetit i propozoj që të nis hetimet, nëse guxon, për të vlerësuar cilësinë e këtyre autobusëve, kurse për Shpendin dhe ata që janë marrë me këtë tender, të porositë lirisht shtretër në Dyz (Burgu i Sigurisë së Lartë), sepse nëse diku korrupsioni duket sheshazi, ai tashmë çdo ditë na shëtit para hundëve nëpër rrugët e Prishtinës./Lajmi.net/

(Opinioni nuk shpreh qendrimin redaksional te portalit lajmi.net)