A e keni vërejtur këtë detaj nga karrigia e Zuckerbergut në Senatin Amerikan

Drejtuesi i rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg kërkoi dje falje para Senatit Amerikan për gabimet e kryera përsa i përket mbrojtjes së të dhënave dhe manipulimit politik.

Bota

11/04/2018 07:45

“Eshtë e dukshme që ne nuk kemi bërë mjaftueshëm për të penguar keqpërdorimin e këtyre mjeteve. Ne nuk kemi marrë asnjë përgjegjësi. Ky ishte gabimi im dhe jam i dëshpëruar”, theksoi ai, pas skandalit për rrjedhjen e të dhënave drejt “Cambridge Analytica”.

I veçantë ishte raportimi i mediave amerikane para se të fillonte dëshmia e Zuckerberg, pasi u dallua që këshilltarët e tij i kishin vendosur një shtresë më shumë në karrige në mënyrë që ai të dukej mjaftueshëm i gjatë dhe të mos dilte i dobët nëpër fotografi që bënë xhiron e botës.

“Do të duhet kohë për të bërë më mirë të gjitha ndryshimet e nevojshme për limitimin e keqpërdorimeve”, shtoi ai.

Miliarderi është dëgjuar nga parlamentarët amerikanë gjatë seancave dëgjimore që filluan sot dhe do të vazhdojnë deri nesër.

Ata synojnë të zbulojnë se si të dhënat e dhjetëra milionë përdoruesve të Facebook janë gjendur në duart e “Cambridge Analytica”.

Themeluesi i Facebook, do të vijojë t’u përgjigjet pyetjeve para kongresit amerikan në lidhje me “rrjedhjen” e të dhënave të përdoruesve.