A duhet të flini me beben tuaj?

Lidhur me vështirësinë për të mësuar fëmijën që pas një periudhe të caktuar të largohet nga shtrati i prindërve është kryer një studim në vitin 2011 nga disa mjekë pediatër.

Lifestyle

18/01/2016 03:50

Ata janë shprehur se nga 1 deri 3 vjeç nuk ka efekte negative nëse fëmijët flenë me prindërit, por kjo bëhet shqetësuese kur fëmija bëhet 5 vjeç.

Nga ana tjetër, mjekja Susana Markel në një intervistë për “Fox News” është shprehur se fëmijët kanë nevojë për t’u prekur dhe përqafuar. Kontaktet fizike me fëmijët përgjatë ditës dhe natës janë të nevojshme për të parë nëse kanë ftohtë apo ngrohtë dhe në një  farë mënyre për t’u siguruar se janë mirë.

Avantazhet e të fjeturit së bashku lidhen dhe me mundësinë e ushqyerjes me gji, e cila ul rrezikun e netëve pa gjumë. Ciklet gjumë-zgjim kur fëmijët janë të vegjël janë të vazhdueshme, ndaj ndarja e shtratit eviton dhe stresin për të dëgjuar fëmijën nëse qan.

Një tjetër studim ka treguar se nënat e reja që flenë më shumë, janë ato që i japin gji fëmijës ndërkohë që flenë së bashku.

Por, disa ekspertë thonë se rreziqet e ndarjes së krevatit janë më të mëdha se përfitimet. Ata shtojnë se ndarja e krevatit sjell pasigurinë e një fëmije ndaj rreziqeve dhe lëndimeve aksidentale, të tilla, si: mbytje dhe asfiksimi.

Veçanërisht në 3 muajt e parë fëmijët kërkojnë kujdes maksimal.

Pra, kush është zgjidhja më e mirë?

Sipas ekspertëve nuk ka ndonjë rregull të artë për t’u ndjekur sa i përket fjetjes. Çdo gjë varet nga zgjidhja që plotëson më së miri nevojat e prindërve dhe fëmijëve. Është e rëndësishme që gjithmonë prindërit të jenë të vetëdijshëm për risqet dhe përfitimet e secilës situatë, në mënyrë që të minimizojë rreziqet për shëndetin e foshnjës./shije.al