A do t’i bashkohet LDK-ja iniciativës së Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë? Flet Isa Mustafa

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka mbajtur një takim me kryetarët e degëve të partisë së tij.

Lajme

12/11/2018 17:48

Pas takimit, në një konferencë për media, Mustafa ka folur për takimin në Bruksel mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiq, ku shprehi edhe njëherë qëndrimet e LDK-së se presidenti sipas tij nuk ka mandat ta përfaqësojë Kosovën në këto bisedime, raporton lajmi.net.

“Ne kemi përcjellë me vëmendje takimin mes Vuçiq dhe Thaçi, dhe ne kemi konstatuar se askush nuk mund ta përfaqësojë Kosovën pa mandate nga Kuvendi. Ne konsiderojmë se është e papranueshme që të ulesh në tavolinën e dialogut në Bruksel përderisa Serbia punon kundër njohjeve. Qëndrimi jonë është që mos të vazhdojë dialogu deri sa Serbia të ndalojë fushatën e saj kundër njohjeve dhe BE-ja të reagojë në lidhje me këtë”, tha ai.

Mustafa foli edhe për transformimin e FSK-së, proces për të cilin ai tha se LDK-ja do ta përkrah në vazhdimësi.

 Ai foli edhe procesin e liberalizimit të vizave, ku tha se institucionet e Kosovës nuk guxojnë që ta fajësojnë BE-në për vonesat e deritanishme.

Mustafa ka folur edhe për iniciativën e Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë dhe nëse partia e tij do ta përkrahë këtë iniciativë, ku tha se një gjë e tillë nuk përjashtohet.

“Ne kemi marrë iniciativën si LDK që të përgatisim mocionin ndaj Qeverisë. Ne e dijmë që Qeveria ime është rrëzuar edhe me përkrahjen e Listës Serbe.  Ne do të bëjmë përpjekje që Qeveria të rrëzohet me marrëveshje nga të gjitha partitë politike. Po nëse sbëhet atëherë do ta zbatojmë kushtetutës. Andaj ne nuk do ta përjashtojmë askënd që do t’i bashkëngjitet kësaj”, tha ai.