A do të zgjidhet Talat Xhaferi kryetar i Kuvendit të Maqedonisë?

Sot pritet që të vazhdojë seanca konstitutive parlamentare e cila u mbajt tre muaj më parë. Menjëherë sapo të zgjidhet kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime si dhe anëtarët e tij,  pritet që të votohet edhe për kryetarin e Parlamentit. Përveç BDI-së, kandidaturë për kryetar të parlamentit kanë paralajmëruar edhe nga Lëvizja Besa.

Lajme

27/03/2017 09:55

Ish-nënkryetari i parlamentit Rafiz Aliti dyshon se VMRO-DPMNE do të bëjë obstruksione të ndryshme për të bllokuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Aliti pretendon se BDI për kandidatin e tyre tanimë ka mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët dhe të Socialdemokratëve të Zoran Zaevit, ndërsa i bën thirrje Lëvizjes Besa dhe PDSH-së që të reflektojnë pozitivisht duke mbështetur Talat Xhaferin për kryetar të parlamentit, sepse sipas tij, çdo veprim i kundërt, do të shkonte në favor të VMRO-DPMNE-së dhe Gruevskit.

“Kandidati i BDI-së ka mbështetjen e dy subjekteve politike me gjasa që të mbështetet edhe prej subjekteve tjera. Por a mund të ketë obstruksione nga VMRO-DPMNE-ja, ai skenarë nuk mund të përjashtohet. Unë mendoj se pavarësisht skenarëve që mund të përgatiten që t’i bëhet obstruksione zgjidhjes së kryetarit, kryetari do të zgjidhet pasi që është interes shtetëror. Cilido subjekt që do t’i bëj obstruksione zgjedhjes së kryetarit definitivsht do të demaskohet dhe të njëjtat do të jenë në dëm të vet subjektit politik por edhe në dëm të qytetarëve të RM-së”, theksoi për TV21, ish-nënkryetari i Kuvendit.

Nga ana tjetër kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, këmbëngul në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke i parë ato si rrugëdalje të vetme nga kriza politike.

“E vetmja rrugëdalje reale dhe logjike nga kriza e përgjithshme politike janë zgjedhjet e shpejta. Zgjedhjet janë zgjidhja e vërtet dhe rruga drejt daljes nga kriza edhe pse janë të padëshiruara për LSDM-në. Kjo do të ishte një referendum i qytetarëve për të ardhmen e shtetit. Zgjedhjet nuk do të thonë harxhim e as humbje kohe, sepse ashtu si ashtu do të duhet që së shpejti të mbahen edhe zgjedhjet e lokale” shkruan Gruevski.

Socialdemokratët e Zoran Zaevit konkretisht nuk e komentojnë situatën e krijuar, por presin se si do të rrjedhin gjërat ditën e nesërme kur edhe pritet zgjedhja e kryetarit të ri të dhomës ligjvënëse.

“Ne presim që të hënën të vazhdojë seanca konstitutive në të cilën së pari do të zgjidhet kryetari dhe anëtarët e Komisionit për zgjedhje dhe emërim. Në të njëjtën seancë duhet të zgjidhet edhe spikeri i parlamentit. Sa i takon vendimit të shumicës së re parlamentare prej 67 deputetësh për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, do të njoftoheni të hënën”, tha Jagoda Shapanska, Deputete e LSDM-së.

Pasi të votohet përbërja e Komisionit, në seancë plenare prezantohen propozimet e partive për kryetar Kuvendi. Më pas të propozimet shqyrtohen nga Komisioni për zgjedhje dhe emërime, kreu i të cilit duhet të thërrasë vazhdimin e seancës për të zgjedhur kreun e Kuvendit. /INA/