A do të shkojë hapave të Teutës edhe Naser Rugova?

Që nga dalja e rezultateve të para të zgjedhjeve të 11 qershorit, ku koalicioni PAN mori 39 deputetë, kanë qenë dy emra brenda koalicionit LAA, dy deputetë të LDK-së që janë përmendur si votues të mundshëm të qeverisë në krye me Ramush Haradinaj.

Lajme

22/07/2017 20:32

Teuta Rugova dhe Naser Rugova, familjar që të dy, ishin emrat që qarkulluan gjatë në opinion si “kumbarë” të Qeverisë Haradinaj.

Dhe ky spekulim i këtyre dy emrave dje u vërtetua të paktën 50 për qind, pasi që Teuta Rugova arriti pajtim me Ramush Haradinajn në rezidencën Rugova për t’ia dhënë votën, shkruan lajmi.net.

Herëve të kaluara kur mediat shkruanin për dy vota rugoviane për qeverinë e PAN-it, Naser Rugova nuk hezitonte që edhe në emër të Teutës “t’i demantonte këta zëra”. Megjithatë që nga dje, Naser Rugova nuk “bëhet i gjallë”.

Lajmi.net ka tentuar dje gjatë gjithë ditës të kontaktojë më të për të kuptuar nëse edhe ai është pjesë e marrëveshjes me Teutën, megjithatë ka qenë i pakapshëm.

Njëjtë ka ndodh edhe sot. As në Facebook Rugova nuk ka postuar asgjë.

Naser Rugova pati dalë nga LDK-ja pas Kuvendit të ashtuquajtur ta karrigeve ku bashkë me Nexhat Dacin dhe të tjerët formuan Lidhjen Demokratike të Dardanisë (LDD). Një kohë ishte deputet i kësaj partie, që tashmë nuk ekziston, e më pas u rikthye në LDK, por pa mundur të zgjidhej deputet.

Në zgjedhjet e 11 qershorit, Rugova u rikthye në Kuvend si pjesë e listës zgjedhore të LDK-së në koalicion me AKR-në dhe Alternativën. /Lajmi.net/