A do të ketë rinumërim në Prishtinë? Flasin nga QNR-ja

Koordinatori i Qendrës së Numërimit të Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj ka theksuar se konsideron se nuk ka nevojë për rinumërim të asnjë vendvotimi në Prishtinë.

Lajme

21/11/2017 21:09

Por, sipas tij, qendra të cilën e drejton ai, konsideron që një kuti e votimit nga Komuna e Prizrenit duhet të rinumërohet, rekomandim ky që është mbështetur edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Ahmetaj ka sqaruar, për RTV Dukagjini se gjatë procedimit të materialeve një numër i vendvotimeve nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta për shkak të disa parregullsive procedurale.

Ai tha se fillimisht duhet të kryhet regjistrimi i votuesve me kusht në bazën e të dhënave dhe skanimi i listës përfundimtare të votuesve, në mënyrë që më pas të numërohen votat me kusht.

Ky proces, sipas tij mund të përfundohet të enjten.

“Votat me kusht dhe ato me postë pritet të jenë përcaktuese për zgjedhjen e kryetarit të Prishtinës dhe atij të Prizrenit, pasi në këto dy komuna dallimi në mes të kandidatëve është i vogël”, ka shtuar Ahmetaj.