A do të ketë rezolutë për gazetarët e vrarë në Kosovë?

Kuvendi i Federatës Evropiane të Gazetarëve sot në Lisbonë vendos nëse duhet të miratojë rezolutën për hetimin e vrasjes së gazetarëve në Kosovë.

Lajme

06/06/2018 13:47

Kuvendi për miratimin e kësaj rezolute kërkon hetim efektiv për vrasjet dhe kidnapimet e 14 gazetarëve dhe punëtorëve të medias, shqiptarë dhe serb në Kosovë gjatë periudhës 1998-2005.

Në mënyrë të veçantë është kërkuar hetim efikas rrëmbimi i gazetarëve Djura Slavuja dhe Ranka Pereniq, vrasja e Afrim Maliqit, Enver Malokut, Bekim Kastratit dhe Bardhyl Ajetit, zhdukja e Ljubomir Knezeviq, e të tjerët, përcjell lajmi.net.

Rezoluta kërkon që misioni i EULEX-it dhe Kombet e Bashkuara të kryejnë vendimet e Komitetit Këshillimor të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e Njeriut në kërkimin e zgjidhjeve të rasteve të vrasjeve dhe kidnapimeve të gazetarëve dhe punonjësve të medias që prej ardhjes së UNMIK-ut,  gjithashtu është kërkuar kompensimi i familjeve.

Kërkesë tjetër është edhe bashkëpunimi mes prokurorëve të Beogradit dhe Prishtinës në zbardhjen e këtyre rasteve.

Ndërsa nga Gjykata Speciale e Kosovës për krimet e luftës është kërkuar të përfshijë rastet e vrasjeve dhe kidnapimeve të gazetarëve dhe punëtorëve të mediave. /Lajmi.net/