A do të diskutohet në Bruksel për Demarkacionin me Serbinë, tregon Pacolli

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, duke folur për temat që do të diskutohen në fillimin e fazës finale të dialogut me Serbinë, ka thënë se ato janë tema interesante të cilat e ndihmojnë zgjidhjen e problemit mes të dyja vendeve.

Lajme

24/06/2018 19:21

Megjithatë, Pacolli nuk ka specifikuar qartë se për çfarë temash është diskutuar sot në Bruksel, ku edhe ka nisur zyrtarisht faza finale e këtij procesi.

“Temat janë interesante, të përgjithshme që shkojnë në favor të zgjidhjes së problemit që kemi me Serbinë, në kuadër të paqes. Nuk është se mund të kryhet sot apo nesër, ëshët proces i gjatë por i domosdoshëm”, deklaroi ai nga Brukseli.

I pyetur se pse nuk po pajtohen të dy palët (pasi sot pati deklarata se arritja e marrëveshjes do të jetë tejet e vështirë), shefi i diplomacisë kosovare tha se sot palët vetëm do ta dëgjojnë njëra-tjetrën, ndërkohë që më vonë do të konkretizohen problemet.

“Ky dialog është në fazën e parë sigurisht. Sot palët dëgjojnë njëra-tjetrën dhe sigurisht problemet do të artikulohen më vonë, jo sot”, potencoi Pacolli, raporton Zeri.info.

Duke folur për demarkacionin me Malin e Zi, Pacolli tha se sot nuk do të flitet mbi këtë pikë.

“Nuk është folur për demarkacionin ende, por sigurisht do të jetë njëra prej pikave sigurisht”, shtoi ai, duke thënë se Kosova ka pranuar kompromisin qysh me Pakon e Ahtisarit.

“Kompromisi duhet të jetë, por sa di unë aty ku është kompromisi, ku ekziston materia, pala kosovare më duket se ka bërë kompromisin e vet dhe çdo gjë e ka hedhur në tavolinë me Pakon e Ahtisarit”, përfundoi Pacolli.

Ndryshe, takimi mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandër Vuçiq, i cili ka hapur zyrtarisht sot fazën finale të dialogut, nuk ka përfunduar ende.