A do të afrohen me PSD-në e Shpend Ahmetit, Mimoza Kusari dhe Ilir Deda?

Mbrëmë u dha lajmi i befasishëm se Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do të jetë më i njëjti në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

01/09/2018 19:48

Kjo, pasi që dy deputetët dhe themeluesit e Alternativës, Mimoza Kusari dhe Ilir Deda kishin vendos të pavarësoheshin nga LDK-ja.

E ky largim i papritur i dy deputetëve ka shkaktuar zëmrim në LDK. Ata thonë se Kusari dhe Deda u bënë deputetë vetëm falë LDK-së.

Sipas kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari-Lilës, arsyeja e largimit nga koalicioni është pasi që partia ka ardhur në një pikë ku i duhet më tepër fokus promovimit dhe hapësirë më të madhe, jashtë LDK-së.

E burime të lajmi.net thonë se dy deputetët e Alternativës u larguan nga LDK-ja për t’u afruar me Partisë Socialdemokrate.

“Ata (Kusari dhe Deda) nuk do të bëhen pjesë e Grupit Parlamentar të PSD-së, por pritet që të bashkëveprojnë më afër, ndërkaq e gjitha kjo do të kurorëzohet me koalicion parazgjedhor kurdo që mbahet zgjedhjet e reja parlamentare”, thonë burimet e lajmi.net.

Kjo edhe mund të bëhet realitet, marrë parasysh se kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti dhe deputeti i Alternativës, Ilir Deda kanë qenë bashkëthemelues të partisë Fryma e Re, por që më pas i kishin prishur raportet.

Që të dy, ishin edhe pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, por që të dy, rastësisht ose jo, më nuk janë pjesë e VV-së. I pari u pat larguar Ilir Deda, e më pas Shpend Ahmeti dhe 12 deputetë tjerë. /Lajmi.net/