A do ta ndërrojë koalicioni PAN kandidatin për kryetar të Kuvendit?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dje e caktoi seancën konstituive për datën 3 gusht, ku edhe do të zgjedhet kryesia e re e Kuvendit, duke përfshirë edhe kryetarin.

Lajme

25/07/2017 21:40

Ashtu siç thuhet në Kushtetutën e Kosovës, kandidati për kryetar të Kuvendit i takon koalicionit apo partisë e cila ka arritur të dalë e parë në zgjedhje.

Nga koalicioni PAN, më saktësisht nga PDK-ja deri më tani disponimi është që kandidat të jetë kryetari i partisë, Kadri Veseli.

“Vullneti i gjithë anëtarëve të kryesisë është që Veseli të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit. Kryesia nuk e ka diskutuar këtë çështje dhe alternativë tjetër nuk ka pasur”, ka thënë në televizionin publik sot, deputeti i zgjedhur i PDK-së, Xhavit Haliti.

Njejtë ka konfirmuar edhe Blerand Stavileci, i cili ka thënë se do ta dëshironte përsëri Kadri Veselin në krye të Kuvendit, shkruan lajmi.net.

Por, a i ka votat Veseli që të zgjedhet kryetar i Parlamentit?

Zyrtarët e Vetëvendosjes disa herë publikisht e kanë konfirmuar se nuk do ta votonin Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, pasi sipas tyre ai nuk është figurë unifikuese.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Përgjithshëm e kanë konfirmuar se Veselin nuk do ta votojnë, pasi pretendojnë se ishte ai që e prishi koalicionin PDK-LDK.

Që të dy këto parti, kanë theksuar se tjerat mundësi nga PDK-ja për zgjedhjen e të parit të Kuvendit, do të shqyrtoheshin.

E vetëm me votat e minoriteteve, koalicioni PAN arrinë shifrën e 59 deputetëve.

Nëse eventualisht PDK-ja këmbëngul në kandidimin e Veselit, dhe nuk vendos tjetër figurë, atëherë vendi do të mund të futej në një krizë sikur në vitin 2014.

Madje, analistët dhe njohësit e rrethanave politike nuk e kanë përjashtuar as shkuarjen përsëri në zgjedhje.

Se a do të ndryshojnë mendje brenda koalicionit PAN, duhet të presim deri javën e ardhshme. /Lajmi.net/