94 vjeçarja që njihet si ”gjyshja Kung Fu” (Foto)

Mos u gënjeni nga 94 vitet e saj. Mosha nuk e ndalon Zhang Hexianin të praktikojë artet marciale, të cilat i ka nisur që kur ishte vetëm 4 vjeç

Fun

15/02/2017 14:10

Me kalimin e viteve, aftësitë e Zhang janë përmirësuar, duke bërë që së fundi, banorët e kontesë Ninghai ku jeton e moshuara, t’i vënë me dashamirësi nofkën “gjyshja Kung Fu”. Ninghai njihet si fshati i arteve marciale. Aty “Kung Fu”-në e praktikojnë pothuajse të gjithë banorët.

Mësimet e para Zhang i ka marrë nga i ati dhe ka vazhduar pastaj t’i respektojë me të njëjtin ritëm përgjatë 9 dekadave.

“Nisa të ushtrohem me babain kur isha shumë e vogël. Mësova bazat e arteve marciale, siç është shtytja me pëllëmbe apo goditja me grusht”, tha Zhang Hexian, “gjyshja Kung Fu”. Praktikimi i “Kung Fu”-së është pjesë e rutinës së përditshme të Zhangut.

Ajo merret çdo mëngjes me ushtrime pa u lodhur aspak dhe, pavarësisht viteve që ka mbi supe, gëzon shëndet të plotë. “Ajo zgjohet shumë shpejt çdo ditë dhe bën ushtrime fizike rregullisht, pa u lodhur. Shpesh, për ushtrim mëngjesi ka vrapin rreth fshatit”, tha i biri Feng Chuanyin. Zhang, një herë pati luftuar me një burrë që po rrihte të shoqen e tij, por zemrën e ka të mirë dhe është gjithmonë e gatshme të ndihmojë të tjerët.

Humori dhe gjendja shpirtërore pozitive duket se janë një tjetër sekret i jetëgjatësisë së saj.