84 gabimet e Rektorit në 83 rreshta CV

Studentët të cilët po kërkojnë dorëheqjen e Rektorit Ibrahim Gashi u kanë bërë thirrje kolegëve të tyre dhe shoqërisë civile që t’u bashkohen nesër në protestën e radhës për largimin e të parit të Universitetit. Në 83 rreshtat e CV së tij ata gjetën 84 gabime.

Lajme

02/02/2014 16:10

Studentët të cilët po protestojnë me ngulm për largimin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, pas skandalit të fundit që plasi me botimin e punimeve të tij shkencore në revista të rreme, të dielën, zgjodhën ambientet e Bibliotekës Kombëtare për ta bërë publike CV e tij zyrtare.

Ata gjetën 84 gabime drejtshkrimore në 83 rreshtat e Curriculum Vitae’n të Rektorit Ibrahim Gashi.

Këto të gjetura alarmante për një Rektor, sipas tyre, janë një arsye më shumë për të protestuar dhe kërkuar vendosmërisht largimin e tij të shpejt.

Studenti Durim Jasharaj, njëri nga përfaqësuesit e protestës, u ka bërë thirrje kolegëve të tyre studentë por edhe shoqërisë civile që t’u bashkohen atyre në protestën për largimin e Rektorit Gashi.

Ai shpalosi edhe planin për protestën që do të vazhdojë të hënën.

“Ne do të nisemi të hënën në ora 12 nga Qendra e Studentëve, përkatësisht konviktet. Ky marsh i studentëve do të kalojë kah Biblioteka Kombëtare për t’u bashkuar me nisjen tjetër që do të bëhet nga Skënderbeu me një pjesë tjetër të shoqërisë civile dhe qytetarë të thjeshtë që do të bashkohen tek Rektorati”.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë studentëve, gjithë shoqërisë civile dhe, mbi të gjitha gjithë qytetarëve të Republikës që të bashkohen me ne para Rektoratit të hapësirave publike në mënyrë që ta bëjmë universitetin”.

“Gjithë së bashku ne do të mund t’i realizojmë kërkesat tona të cilat janë të pa negociueshme dhe të drejta”.

Studenti Valton Marku, përpos kërkesave tashmë të njohura për dorëheqjen e menjëhershme të Rektorit, verifikimin e të gjitha titujve akademik dhe përmirësimin e infrastrukturës së konvikteve për shkak të gjendjes së rëndë atje, ka edhe një arsye më shumë për protestë.

Është niveli akademik i Rektorit Gashi, respektivisht gabimet e tij në CV zyrtare.

“Të ndalemi edhe tek një arsye për të protestuar, nga shumë arsye. Gjetjet e fundit që i kemi bërë, na kanë treguar që kjo CV e Rektorit Ibrahim Gashi, nga 83 rreshta ka 84 gabime”.

“Kjo më së miri tregon nivelin akademik që e ka Rektori ynë, Ibrahim Gashi. Ju ftojmë të gjithëve edhe njëherë, pasi që ky është problem më shumë se studentor, t’i bashkoheni marshit tonë protestues”.

Studentët protestues kanë bërë të ditur se presin një protestë më masive se herëve të tjera. Kanë njoftuar se me ta është edhe një numër organizatash si: “Çohu”, “Konsumatori”, dhe një numër profesorësh.

Gjithashtu është bërë e ditur se është edhe një grup i doktorantëve që studiojnë në shtetet e jashtme që i kanë përkrahur me anë të deklaratës.