7 pikat e PDK-së për daljen nga ngërçi

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen që ka mbajtur sot, ka nxjerrë një deklaratë për tejkalimin e gjendjes politike në vend, e cila është paraqitur në 7 pika.

Lajme

05/11/2014 18:32

Kreu i kësaj partie, Hashim Thaçi, i cili i ka prirë kësaj mbledhje, ka thënë se ka dy mundësi për daljen nga ngërçi politik, e para ka të bëjë me përfshirjen e PDK-së në qeveri dhe e dyta janë zgjedhjet e reja. 

“E para, nuk mund te krijohen institucione të reja në asnjë rrethanë pa përfshirjen e PDK-së, jo pse kjo është dëshirë e jona, por ky është vullneti i qytetarëve. PDK nuk do të lejojë askënd që të luaj me vullnetin e qytetarëve, dhe e dyta, nëse për çfarëdo arsye forcat politike që po pengojnë krijimin e institucioneve nuk e kuptojnë këtë realitet politik dhe nëse vazhdojnë me teket dhe inatet e vjetra, atëherë rrugëdalja e vetme mbetet – ftesa për zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Thaçi.

Thaçi i ka bërë thirrje liderëve të partive që i takojnë qendrës së djathtë të ulen dhe të arrihet marrëveshje, sepse, tek e fundit, siç ka thënë ai, “edhe në zgjedhje të reja duhet të shkojmë me marrëveshje”.

“Çdo hap politik që do ta merr Partia Demokratike e Kosovës do ta bëj në kuadër të respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës theksoi Thaçi”.

Pas debatit të anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së, në fund të mbledhjes u mor qëndrimi që të mbështetën rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 8 qershor dhe verdikti i sovranit.

Në fund të kësaj mbledhje, PDK ka miratuar një deklaratë, përmes të cilës parasheh daljen nga kjo krizë politike.

Ajo ka 7 pika:

1. PDK shpreh dhe rikonfirmon gatishmërinë e saj për themelimin sa më të shpejtë të institucioneve,

2. PDK fton të gjithës spektrin politik që të reflektojnë pozitivisht për arritjen e një marrëveshjeje kushtetuese për themelimin e institucioneve,

3. PDK vlerëson që themelimi i institucioneve duhet të gjendet brenda Kushtetutës dhe interpretimeve që ka bërë Gjykata Kushtetuese,

4. PDK mbështet dhe përkrah ushtrimin e funksioneve të sakta Kushtetuese të Presidentes dhe ndërmjetësimin e saj në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje kushtetuese dhe një marrëveshjeje për themelimin e institucioneve,

5. PDK është kundër secilës zgjedhje tjetër që del jashtë Kushtetutës dhe vullnetit të sovranit të shprehur në zgjedhjet e 8 qershorit,

6. PDK shpreh keqardhje për mosgatishmërinë për të krijuar institucionet dhe për vështirësitë që po kalon vendi,

7. Në rast të mos arritjes së një marrëveshjeje për themelimin e institucioneve, PDK shpreh gatishmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe rikonfirmimin e vullnetit të sovranit.