7 llojet e kancerit që mund të shkaktojë alkooli

Nëse ka një fushë kërkimi që ka ngjallur më shumë konfuzion në publik, është padyshim debati alkool-shëndet.

Lifestyle

25/07/2016 02:17

Disa studime sugjerojnë se alkooli është i mirë në disa raste, ndërsa të tjerë thonë se ai është i dëmshëm për shëndetin. Më shumë mospërputhje ka pasur në lidhje me sasinë e konsumimit të alkoolit.

Një studim i fundit, i publikuar tek revista “Addiction”, sugjeron se alkooli jo vetëm që dëmton shëndetin, por mund të shkaktojë edhe shtatë lloje të ndryshme të kancerit. Por, si gjithmonë, doza e konsumuar bën diferencën.

Pas shqyrtimit të disa studimeve të kryera nga organizata të ndryshme që merren me çështjet e kancerit, si Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtimin e Kancerit, Fondi Botëror për Hulumtimin e Kancerit, Instituti Amerikan për Hulumtimin e Kancerit etj, hulumtuesit shkencorë nga Universieti Otago në Zelandën e Re dolën në përfundimin se konsumimi i alkoolit rregullisht mund të shkaktojë këto 7 lloje kanceri: orofaringut, laringut, ezofagut, mëlçisë, zorrës së trashë, rektumit dhe kancerin e gjirit tek femra.

Nuk janë përcaktuar plotësisht mekanizmat biologjikë që fshihen pas lidhjes së alkoolit me kancerin.

Megjithatë disa mekanizma dihen tashmë. Për shembull, kanceri i gojës, laringut, ezofagut, mëlçisë etj mund të shkaktohet nga dëmtimi ADN-së nga një substancë karcinogjene tek alkooli, e quajtur  acetaldehyde. Për kancerin e gjirit, gjithashtu, alkooli dihet se rrit nivelet e hormoneve riprodhuese, si estrogjeni, që mund të rrisë ndarjen e qelizave, duke rritur kështu rrezikun për t’u prekur nga kanceri.