63 milionë më shumë për Autostradën “Arben Xhaferi”, Zharku i përgjigjet Pal Lekajt

Po shtohen milionat që i duhen Qeverisë së re, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës për përfundimin e autostradave.

Lajme

28/11/2017 16:08

Pal Lekaj dje tha se duhet dhënë edhe 63 milionë euro më shumë për autostradën e Shkupit, e për këtë, sipas tij, ka faj udhëheqja e kaluar e infrastrukturës e drejtuar nga Lutfi Zharku.

Ky i fundit ka thënë për Gazetën Express se pranon që Qeveria duhet të paguajë penallti, por flet për një shumë afër 15 milionëshe.

Është paralajmëruar disa herë edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj edhe nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, se autostrada për Shkup, e emëruar “Arbën Xhaferi”, do të përfundojë në fund të vitit 2018.

Por, tani Lekaj dha edhe një lajm tjetër. Autostrada do të kryhet, por duke u paguar 63 milionë euro më shumë. E, për këtë, ai fajësoi paraardhësin e tij, Lutfi Zharkun.

Lekaj tregoi në një emision televiziv se këto 63 milionë euro do të paguhen për shkak të vonesave që i janë bërë kompanisë së ndërtimit, “Bechtel – Enka” rreth pagesave bankare e amortizimit.

Sipas ministrit të tanishëm, Ministria e Infrastrukturës nuk është marrë vesh me kompaninë tenderuese që nga fillimi për pagesa.

Gazeta Express ka kontaktuar me Lutfi Zharkun, për ta pyetur rreth atij 63-milionëshi që po e përmend tani Lekaj, por ish-ministrit i duken aq të kota sa që vetëm për to nuk dëshiron të pyetet.

“Veç mos më pyesni për Palin. Veç mos më pyesni për budallakinat e tij”.

Megjithatë, ai tregon se në mandatin e tij është folur për 14.8 milionë euro, dhe jo për 63 milionë euro më shumë.

“Ne kemi folur për 14.8 milionë, propozimi është në Qeveri për shkak të shtyrjes së afatit të punimeve. Le të tregojë Pali se si i ka bërë 63 milionë”, ka thënë Zharku për Gazetën Express.

Lekaj shpeshherë ankohet për pasojat që, sipas tij, i kanë mbetur dikasterit të tij nga qeverisja e kaluar. Zharku e fton ministrin e tanishëm që të flasë te organet e hetuesisë nëse mendon se ka pasur shkelje, dhe më të mos e përmend në media.

“Për çdo keqmenaxhim jam në gjendje me u përgjigj publikisht dhe po e thërras publikisht sikur herën e kaluar me kallxu ku janë gabimet”, ka thënë ish-ministri.

“Nëse ka shkelje ligjore, i ftoj ministrin të shkojë në Prokurori dhe të mos flasë në televizor”.

Në Ministrinë e Infrastrukturës tregojnë se autostrada “Arbën Xhaferi”, që e lidh Prishtinën me Shkupin pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, tani me këtë 63-milionëshin e ri, mbi 800 milionë euro, ndërsa ministri është zotuar se ajo do të jetë funksionale saktësisht më 31 dhjetor 2018.