600 milionë dollarë për muxhahedinët në Shqipëri

Kongresi Amerikan kërkon nga qeveria e Irakut të dëmshpërblejë pjesëtarët e opozitës iraniane të MEK-ut që ndodhen në Shqipëri.

Lajme

21/08/2017 20:23

Në një rezolutë të veçantë ata kërkojnë nga Iraku për të kompensuar 2700 anëtarët e MEK-ut, ish-rezidentë të “kampit Ashraf” dhe “kampit të Lirisë”, në mënyrë që ata të mund të përballojnë jetën e tyre të re në Shqipëri.

Pronat e tyre janë automjete, banesa, e çdo pasuri tjetër që është ndërtuar prej tyre gjatë kohës së qëndrimit në kampin ‘Ashraf’ dhe atë të ‘Lirisë’. Rezoluta është depozituar në Kongresin Amerikan nga 5 kongresmenë, të cilët kërkojnë kompensim për pronat e pjesëtarëve të opozitës iraniane të MEK.

Vlera e pronave të tyre shkon deri në 600 milionë dollarë, qeveria irakiane ua ka shitur apo dhënë ato personave pranë saj, shkruan Shqiptarja.com.

Në rezolutë thuhet se, edhe pse mes qeverisë amerikane, asaj të Irakut dhe misionit të Kombeve të Bashkuara në Irak është rënë dakord, që pas largimit të këtyre personave nga dy kampet, pronat e tyre të ruheshin dhe të shiteshin nga pronarët e tyre, pra nga pjesëtarët e MEK, qeveria irakiane ua ka shitur apo dhënë ato personave pranë saj.

Nëse qeveria e Irakut do të pranojë rezolutën atëherë në Shqipëri do të futeshin 600 milionë dollarë.