60 mijë numra për operatorin serb

Një operator telefonik me pronësi serbe do të funksionojë në dy kode shtetërore, 60 mijë numra dhe në 20 për qind të territorit të Kosovës për 18 muajt e ardhshëm.

Lajme

21/10/2017 16:34

Në kuadër të implementimit të marrëveshjes për kodin shtetëror telefonik, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ARKEP ka ndarë 60 mijë numra për një operator të përkohshëm telefonik.

Me marrëveshjen e arritur më 13 nëntor të vitit që shkoi në Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, u vendos që Kosovës t’i takojë kodi shtetëror telefonik me kusht që në periudhën e tranzicionit drejt këtij kodi në Kosovë të funksionojë një kompani e përkohshme e quajtur Mts D.O.O.

Më 15 dhjetor të vitit 2016, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit ndau për Kosovën kodin +383 si kod shtetëror i cili pritet të implementohet tërësisht deri në mesin e vitit të ardhshëm kur pritet largimi i kodeve të përdorura deri më tani.

Operatori i përkohshëm ngjalli reagime të shumta për shkak se është me pronësi të Serbisë.

‘Gazeta Jeta në Kosovë’ kishte gjetur se pronare e kompanisë së regjistruar në Kosovë është kompania “Telekom Srbija Ad Beograd”, pronare e së cilës është Qeveria e Serbisë.

Operatori i përkohshëm paralelisht me kodin e ri do ta përdorë kodin e Serbisë +381 dhe thirrjet nga Kosova drejt Serbisë përmes këtij operatori do të regjistrohen si thirrje lokale.

Megjithatë, Kreshnik Gashi, drejtor i ARKEP-it tha se operatori serb, përveç se është i përkohshëm ka edhe hapësirë të limituar të operimit.

“ARKEP, dëshiron të ritheksojë edhe njëherë, sa i përket shërbimeve të telefonisë mobile operatori MTS D.O.O. nuk konsiderohet si operator i tretë, pasi që autorizimi i lëshuar (në përputhje me marrëveshjen e telekomunikacionit në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë) është i përkohshëm dhe operatori në fjalë ka të drejtë të ofrojë shërbime vetëm në kuadër të infrastrukturës së kufizuar”, tha Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Vitin e kaluar, Gashi kishte thënë se kjo hapësirë nënkuptonte më pak se 20 përqind të territorit të Kosovës.

Ai theksoi se ky limit nuk guxon të tejkalohet, ndërsa tregoi shtrirjen e operatorit serb.

“Shtrihet kryesisht në pjesën e veriore të Kosovës. Pra, ky operator nuk ka të drejtë të zgjerojë dhe shtrijë infrastrukturën në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Gashi.

Përdorimi i +383 nga operatorët vendorë

Më 2 shkurt të vitit 2017, për herë të parë, telefonive mobile në Kosovë iu dha drita e gjelbër për të filluar përdorimin  e kodit shtetëror të Kosovës +383.

Sipas afatit teknik të përcaktuar nga ARKEP-i, operatorët vendor si Vala dhe Ipko ishte dashur të fillojnë tranzicionin e numrave në kodin e ri për ta përfunduar brenda 18 muajsh.

Në përfundim të këtij afati në Kosovë duhet të zhduken kodet e huazuara paraprake si +377 e Monakos e përdorur nga Vala dhe +386 e Sllovenisë, e përdorur nga Ipko.

Po ashtu duhet të largohet kodi i Serbisë +381 që ende është funksional në Kosovë dhe tanimë do të përdoret edhe nga operatori i përkohshëm deri në përfundim të fazës tranzitore.

Fillimi i përdorimit të kodit shtetëror nuk u bë në të njëjtën kohë nga të dy operatorët vendorë.

Në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi të bëjnë thirrje ndërkombëtare dhe anasjelltas në kodin e ri, kompanitë e telefonisë në Kosovë duhet të bëjnë marrëveshje individuale me operatorë ndërkombëtarë për pranimin e kodit dhe hapjen e kanaleve për thirrje në +383.

Deri më tani, që të dy operatorët kanë filluar përdorimin e kodit për thirrjet vendore si dhe kanë realizuar marrëveshje ndërkombëtare për të mundësuar thirrjet ndërkombëtare.

Alban Kastrati, zyrtar për informim në Ipko për Gazetën Jeta në Kosovë tregoi për mundësitë e thirrjeve në operatorë ndërkombëtarë nga kjo telefoni deri më tani.

“Tani për tani, ne kemi identifikuar rreth 159 operatorë që kanë hapur kanalet e tyre. Identifikimi i operatorëve bëhet në bazë të trafikut në drejtim të numrave 383, që do të thotë se nëse pranohet ndonjë thirrje me spektër të numrit te operatorit origjinues, atëherë IPKO e konsideron se kanali është i hapur.”, tha Kastrati.

Në anën tjetër, Arsim Bilalli, zyrtar për informim në Vala, emëroi specifikisht operatorët me të cilët kanë realizuar marrëveshje.

“Po, janë bërë marrëveshje me të gjithë operatorët me të cilët kemi shkëmbim të drejtpërdrejtë të trafikut të zërit. Në mesin e tyre mund t’i numërojmë Deutsche Telecom, Italian Telecom, Telecom Slovenia, Alb Telecom, Turk Telecom, Monaco Telecom etj. Nga të gjithë këta operatorë, e përmes tyre nga të gjithë operatorët anekënd botës si AT&T, Virizon, Vodafone, Orange etj, Telekomi i Kosovës pranon thirrje në numeracioni +383- pra në kodin shtetërore të Kosovës për një tarifë përkatëse”, tha Bilalli.

Marrëveshja për kodin telefonik ishte zvarritur një kohë nga pala serbe./Kallxo.com