6 të vdekur në një aksident trafiku në Kukës

Gjashtë persona kanë vdekur, në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur rreth orës 6.30 të mëngjesit të ditës së shtunë, në qytetin e Kukësit. Njëra nga viktimat raportohet se ka qenë në muajin e katërt të shtatzanisë.

Lajme

08/02/2014 10:01

Si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë në fshatin Topojan të Kukësit, kanë humbur jetën gjashtë persona, ndërsa janë lënduar 7 të tjerë- 4 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Njëra nga viktimat raportohet se ka qenë në muajin e katërt të shtatzanisë.

Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Kukës-Shishtavec, në vendin e quajtur “Ura e Topojanit”, rreth orës 6.30 të ditës së sotme, kur drejtuesi i një furgoni me pasagjerë ka humbur kontrollin e mjetit duke përfunduar në humnerë, raporton “Gazeta Shqip”.

Përplasja ka qenë fatale për gjashtë pasagjerë. Viktimat janë Feim Biba, Zykri Shehu, Zaim Karanxha, Bashkim Çuni, Xhevahire Çuni dhe Linda Çuni. Pesë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga përplasja, 2 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

 

Sipas organeve të policisë, tre persona kanë ndërruar jetë menjëherë ndërsa tri viktimat tjera kanë humbur jetën gjatë rrugës për në spitalin e Kukësit.

Drejtues i furgonit ishte Bashkim Çuni, 21 vjeçar, i cili gjithashtu është në mesin e viktimave.

 

Ndërkohë, 4 persona janë transportuar për në spitalin ushtarak nga të cilët sipas mjekëve të këtij spitali, 2 janë në gjendje shumë të rëndë, ndërsa 2 të tjerë në gjendje me te stabilizuar shëndetësore.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë terreni i keq dhe shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte furgoni në momentin e ngjarjes.