5.5 milionë euro të shpenzuara për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë

Që nga fillimet e punimeve të këtij projekti e deri më tani janë shpenzuar rreth 5.5 milionë euro.

Lajme

15/10/2018 19:51

Në prill të këtij viti kanë nisur punimet për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.

Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, i cili tani është duke vazhduar do të ndihmojë zhvillimin e bizneseve të kësaj pjese, ndërsa projekti është paraparë të zgjasë rreth 30 muaj, shkruan lajmi.net.

Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se punimet në këtë autostradë janë duke shkuar sipas planifikimeve.

“Po punohet në pozicionet e gërmimit dhe mbushjes si dhe strukturat e vogla, që kanë të bëjnë me leshesat e ujore dhe nënkalimet. Kompanitë e kontraktuara për segmentin e parë, Banullë – Bresalc janë në angazhimet e tyre të përditshme. Por tani kur jemi duke iu ofruar stinës së dimrit, normal që dinamika është pak më e ngadaltë, por gjithsesi që janë në punë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për lajmi.net.

Sipas Ministrisë, procesi i shpronësimit në këtë pjesë ka përfunduar dhe i mbetet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor edhe Ministrisë së Financave që të përfundojnë procedurat e tyre.

Që nga fillimet e punimeve të këtij projekti e deri më tani janë shpenzuar rreth 5.5 milionë euro.

“Ju e dini që segmenti i parë, nga Banulla deri në Bresalc të Gjilanit, 22.31 kilometra e gjatë, e ndarë në 8 llote, deri tani janë shpenzuar rreth 5.5 milionë euro, gjithsej projekti është rreth 88,6 milionë euro”.

Tutje, nga Ministria e Infrastrukturës thuhet se sipas kontratave të nënshkruara segmenti i parë duhet të përfundojë brenda 30 muajve.

Kujtojmë se Kosova ka përfunduar autostradën e quajtur ‘Ibrahim Rugova’ e cila e lidhë atë me Shqipërinë dhe është në përfundim e sipër të autostradës ‘Arbën Xhaferi’ që e lidh me Maqedoninë.

Ndërsa me autostradën në fjalë do bëhet lidhja e Prishtinës me Kosovën Lindore. /Lajmi.net/