46 mijë ndërtime pa leje në Prishtinë, të legalizuara vetëm 65

Prishtina duke qenë kryeqyteti i Kosovës ka numrin më të madh të banorëve dhe rrjedhimisht edhe numri i ndërtesave është i madh, mirëpo jo të gjitha ndërtesat në kryeqytet janë të legalizuara.

Lajme

30/05/2016 16:34

Në Komunën e Prishtinës deri më tani janë identifikuar gjithsej 46 mijë ndërtime pa leje, ku prej këtij numri vetëm për 6 mijë e 780 objekte është kërkuar legalizimi, ndërsa janë legalizuar vetëm 65.

Në mënyrë që ndërtesat në komunën e Prishtinës të jenë të legalizuara, siç kërkohet edhe me ligj, komuna kishte filluar procesin e legalizimit në vitin 2010, që pas një pauze vazhdoi në vitin e kaluar.

Në fazën e aplikimit për legalizim, që ishte deri në mars të këtij viti, zyrtarja për informim në Drejtorinë e Urbanizimit të Komunës së Prishtinës, Heroina Maloku bëri të ditur për KosovaPress se një numër i pronarëve të objekteve nuk e kanë kompletuar dokumentacionin e duhur për këtë proces, mirëpo pavarësisht kësaj ata kanë hyrë në listën e aplikantëve dhe gjatë shqyrtimit lëndët e tyre do të jenë në plotësim të dokumentacionit.

Ndërsa për obj ektet për të cilat nuk është bërë aplikimi për legalizim, Maloku theksoi se ashtu siç përcakton edhe ligji, ato objekte do të rrënohen.

“Deri më tani janë legalizuar rreth 65 ndërtime, prej 6 mijë e 780… Ato të cilat janë të regjistruara dhe nuk kanë aplikuar sipas ligjit, të gjitha ato që nuk hynë në fazën e aplikimit në listën e aplikimit, atëherë hyjnë në listën e rrënimeve, kështu ka thënë ligji paraprak. Mirëpo, tani është duke u bërë një ndryshim i ligjit, i cili derisa të hyjë në fuqi apo derisa përpilohet komplet ligji i ri për legalizim, qëndron ende në fuqi ligji i vjetër dhe ende qëndron kjo që të gjitha këto të tjerat janë momentalisht në listën e rrënimeve”, tha Maloku.

Duke vlerësuar procesin e legalizimit Albulena Nrecaj, nga organizata e Iniciativa për P rogres – INPO, e cila merret me monitorimin e punës së komunave të Kosovës, tha për KosovaPress se në përgjithësi procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në Kosovë ka pasur vështirësi dhe ka pasur vonesa. Mirëpo, sipas saj, faji për këto vështirësi dhe vonesa jo domosdoshmërisht qëndron te autoritetet komunale, por tek paqartësitë në procedura dhe në trajtimin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, e cila ka derivuar nga ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili është miratuar në vitin 2014 e që po i njëjti është në proces të plotësimit dhe ndryshimit të tij.

Sa i përket mbarëvajtjes së procesit të legalizimit në komunën e Prishtinës, Nrecaj potencoi se për dallim nga komunat e tjera Prishtina ka pasur qasje më proaktive. Ajo shtoi se kostoja e lartë financiare e këtij procesi ka ndikuar te qytetarët të cilët nuk kanë aplikuar për legalizim të objekteve.

“Kjo domosdoshmërisht nuk është dështim i komunës së Prishtinës, kur e krahasojmë me komunat e tjera, sepse organizata jonë monitoron edhe komunat e tjera në Kosovë. Komuna e Prishtinës për dallim nga të tjerat ka pasur një qasje pak më proaktive dhe ka qenë më shumë e fokusuar qoftë në fushatat sensibilizuese, qoftë në caktimin e ditës së legalizimit, fushatave të tjera sensibilizuese, marrëdhënie me mediat për ta promovuar këtë iniciativë. Megjithatë, proceduarat që kanë qenë të parapara me ligj dhe kostot financiare të cilat e kanë përcjell këtë proces kanë qenë shumë të larta, pa çka i kanë bërë qytetarët që të mos aplikojnë”, tha Nrecaj.

Sipas saj disa nga problemet që kanë përcjellë procesin e legalizimit kanë qenë mënyra e aplikimit për legalizim si dhe munge sa e kapaciteteve njerëzore të komunës së Prishtinës për t’i trajtuar aplikuesit potencial.

“Njëra ndër problemet që i ka karakterizuar procesin e legalizimeve ka qenë edhe mënyrë e aplikimit, për shembull për objektet si tërësi, njësitë banesore ose për rastet kur pronarët e njësive të ndërtesave kanë qenë në bashkëpronësi ose kur ndërtesat janë ndërtuar në pronë komunale, në parqe nacionale, dhe të gjitha këto kanë shkaktuar paqartësi të personit i cili do të aplikojë, i cili është titullari i aplikuesit për legalizim. Gjithashtu duhet pasur parasysh që komunat në përgjithësi, por edhe Komuna e Prishtinës në bazë të numrit të ndërtimeve pa leje të regjistruara deri më tani, nuk kanë edhe kapacitete humane që t’i trajtojnë aplikuesit potencial për legalizim, duke pasur parasysh se ministria e linjës në momentin e sponzorizimit të ligjit, sidomos të ligjit për ndërtimet pa lejen ku direkt kanë përgjegjësi dhe obligime komunat nuk e vendosin edhe kosoton financiare apo përkrahjen financiare për komunat në mënyrë që të përballohen me gjithë këtë proces”, tha Nrecaj.

Ndërsa, në lidhje me mundësinë edhe të një afati shtesë të aplikimit për legalizim Nrecaj tha se në këtë kontekst nuk i takon komunës që të merr vendim të njëanshëm , të caktojë afate strikte ose diçka tjetër në lidhje me procesin e legalizimit, pasi kjo është kompetencë e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. / kp