44 vite polic qarkullimi, Xhemil Haluli tregon se si u rezistoi sistemeve

Për 44 vite ka menaxhuar trafikun në qendrën e kryeqytetit shqiptar. Janë përmbysur sistemet, janë ndërruar qeveritë, por ai u ka rezistuar të gjitha kohërave, duke e kryer detyrën me pasion dhe profesionalizëm. Ai është Xhemil Haluli, me origjinë nga Gjirokastra dhe banues në Tiranë, i cili dje u nderua nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Lajme

27/05/2016 08:33

Me rastin e daljes në pension, 65-vjeçarit i është bërë një surprizë, e cila e ka lënë pa fjalë.

Efektivit të Policisë Rrugore iu dha dekorata, ndërsa iu dhurua motori me të cilin ka punuar për 22 vite. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mes emocioneve dhe lotëve, Xhemil Haluli tregon sprovat e vështira që ka kaluar gjatë karrierës në radhët e Policisë së Shtetit. Ndërkohë, gjatë 25 viteve të fundit, ky është një rast i veçantë që Ministria e Brendshme i bën surprizë një efektivi të policisë.

Kur keni filluar punë në radhët e Policisë së Shtetit?
Më 1 shtator të 1973.

Çfarë arsimi keni mbaruar?
Të mesmen.

Si ka qenë puna punonjësve të Policisë Rrugore në kohën e monizmit?
Në kohën e monizmit, puna e Policisë së Shtetit ishte e njëjtë për të gjithë. Vlerësoheshin të gjithë njësoj.

Sa ka qenë rroga bazë në atë kohë dhe si ka ndryshuar deri në këto vitet e fundit?
Rroga në atë kohë ishte 5 mijë e 600 lekë të vjetra. Deri në vitin 1991 ka qenë po kjo rrogë. Ndërsa nga 1991 e deri më tani rroga ka ndryshuar mbi bazën e standardit të jetesës.

Çfarë gjobash ka pasur në kohën e monizmit?
Gjoba më e madhe ishte 100 lekë të vjetra. Për këmbësorin kur nuk kalonte në trotuar apo kur nuk kalonte te vizat e bardha, ishte 10 lekë të vjetra. Për biçikletat ishte 50 lekë të vjetra.

Si ka qenë sinjalistika rrugore e asaj kohe në krahasim me vitet e fundit? Keni pasur probleme?
Në atë kohë nuk kishte ngarkesë në mjete dhe kush shofer kapej në gjendje të dehur, i hiqej patenta.

Ju keni gati gjysmë shekulli që punoni në Policinë Rrugore, si ka mundësi që i keni rezistuar kaq shumë viteve, kur sa herë që ndërroheshin qeveritë kishte shkarkime edhe në radhët e policisë?
Unë u kam shërbyer sistemeve të ndryshme. Puna ime ka qenë vetëm të parandaloj aksidentet me pasoja dhe të vendos rregull. Por, me kushtet dhe standardet që kanë hyrë kohët e fundit në Policinë e Shtetit është rritur edhe cilësia e policisë. /Gazeta Shqiptare