40 ditë paraburgim për personin e kërkuar nga INTERPOL-i

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, kështu duke i caktuar masën e paraburgimit të pandehurit që kërkohej nga INTERPOL-i.

Lajme

22/11/2018 15:47

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditëve të pandehurit S. R., shkruan lajmi.net.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri është kërkuar në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga shteti i Austrisë – kërkesë e INTERPOL-it, për shkak të veprës penale e cila është e sanksionuar sipas akteve ligjore mbi drogat dhe narkotikët të shtetit austriak, apo veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake,vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S. R., pasi që për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë dhe po që se i njëjti gjendet në liri, mund të arratiset për të i ikur përgjegjësisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit. /Lajmi.net/