4 vjet me lajmi.net

Sot bëhen katër vjet që nga koha kur lajmi.net u bë pjesë e tregut medial kosovar. I nisur pa shumë zhurmë dhe pa shumë pompozitet, lajmi.net ka arritur që brenda këtyre 48 muajve t’i kap majat e mediave me të lexuara jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe gjithandej ku flitet shqip.

Lajme

13/09/2017 17:03

Për këto katër vjet, lajmi.net ka treguar se nëse ekziston përkushtimi dhe qartësia si projekt, atëherë dyert nuk janë të mbyllura apriori, përkundrazi, tregu medial online kosovar ofron hapësirë dhe mundësi.

Dhe sot kur flasim për ditëlindjen e katërt, sigurisht duhet bërë edhe bilance, nxjerrë konkluza dhe bërë analiza se cila është gjendja aktuale e lajmi.net.

Duhet thënë se janë shumë faktorë që kanë ndikuar që lajmi.net të jetë këtu ku është sot, lartë! Përdorimi dhe shfrytëzimi i të mirave që ofron fillimisht interneti, e më pas rrjetet sociale, pastaj ndërlidhja e tyre me konceptin e të bërit lajm, kanë qenë pikat më të forta që portali ynë të jetë në çdo celular, tablet apo desktop. Kjo është mundësuar nga ekipi i jashtëzakonshëm që ka punuar qysh nga dita e parë dhe të cilët duhet falënderuar edhe sot për përkushtimin dhe angazhimin e pashoq.

Ka qenë dhe është ekipi i përbërë nga gazetarët dhe stafi teknik që për asnjë moment brenda 24 orëve nuk e lë lexuesin të mërzitet, por i ofron lajme dhe materiale nga me të ndryshimet.  Duke parë që media online ofron mundësi të jashtëzakonshme, së pari për informim të drejt dhe të pavarur, pastaj edhe për gjëra tjera që lexuesi ka nevojë, lajmi.net është angazhuar të sjellë risi pa pardon. Sot, ne si portal iu shërbejmë lexuesve, përveç lajmeve dhe ngjarjeve ditore nga vendi dhe bota, edhe kuriozitete, receta, video, fotografi, lifestyle, argëtim, etj.

Dhe ashtu siç premtuan një vit më parë, lajmi.net tashmë ka sjellë edhe produktet e reja. Bëhet fjalë për emisionin e showbizz-it, Mirage, i cili për një kohë të shkurtër ka arritur në majat e shikueshmërisë.

Por, lajmi.net nuk do të ndalet me kaq, pasi që brenda një kohe të shkurtër do të lansojë edhe projekte tjera.

Lajmi.net është zotuar dhe përcaktuar që të mos bëjë kompromis me besueshmërinë.

Ju faleminderit!