4 milionë euro grante për bizneset, një pikë ujë në oqean

Me qëllim të gjenerimit të vendeve të reja të punës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka paraparë të ndaj grante në vlerë 3 deri në 4 milionë për bizneset e vogla dhe të mesme. Kjo shumë që është paraparë të ndahet me bashkëfinancim nga MTI, IOM dhe Bashkimi Evropian, për njohës të çështjeve ekonomike është një pikë ujë në oqean. Ndërsa, zyrtarët e MTI-së thonë se nga kjo vlerë do të ndahen 18 grante.

Lajme

16/03/2015 15:31

Vjollca Dibra, këshilltare për media në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë për KosovaPress se MTI do t’i ndaj 1 milion euro, ndërsa 3 milionë do të ndihmohet nga Bashkimi Evropian.

“Ky projekt do të jetë një projekt me një shumë totale prej 4 milionë euro. 3 milionë euro do të jenë fonde të cilat i financon Bashkimi Evropian, ndërsa 1 milion euro do të jenë fonde të qeverisë. Megjithatë, ende jemi në koordinim të ndarjes së këtyre bizneseve do të mundohemi që të mos priveligjojmë asnjë biznes që një biznes të priveligjohet dhe tjetri do të mundohemi t’i ndajmë në mënyrë sa më të rregullt duke i pasur parasysh të gjitha kriteret të cilat janë të mirëfillta për ndarjen e këtij buxheti”, ka thënë ajo.

Sipas Dibrës, projekti i 18 granteve të cilat do të shpërndahen për bizneset e vogla dhe të mesme dhe për mikro bizneset është një projekt që po ashtu është në bashkëfinancim me Bashkimin Evropian dhe i implementuar nga IOM-i.

”Mendohet se deri në shumën prej 25 mijë euro do të ndahen rreth 20 grante për mikrobizneset, ndërsa në shumë prej 200 mijë euro do të ndahen 15 grante për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Do të mundohet që përmes këtyre granteve të gjenerohen vende të reja të punës të rrisim kapacitetin e prodhimit, të rrisim kapacitetin e eksportit të produkteve vendore. Do të thotë gjithçka do të bëhet do të mundohemi që të rrisim edhe eksporti do të jetë synim kryesor por edhe të gjenerojmë vende të reja të punës”, ka thënë Dibra.

Në anën tjetër, Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike thotë se kur kemi parasysh problemet me të cilat ballafaqohen bizneset, vlera 3 milionë euro është një pikë ujë në oqean.

“Kur kemi parasysh problemet me të cilat ndodhet ekonomia dhe në përgjithësi biznesi privat problemet sociale me të cilat është e ngarkuar vendi, atëherë 3 milionë euro është si një pikë ujë në oqean jo në det. Nuk mund të shërbejnë as si shtytje as si nxitje për zhvillimin e biznesit privat dhe hapjen e vendeve të punës. Unë do të shpresoja që së paku këtë 3 milionësh të jetë si një fillim për investime dhe ofrimin e mundësive për financimin e segmenteve të caktuara në sektorin privat për ndryshe sektori privat posaçërisht bizneset e reja e kanë problem shumë të madha financiare duke pasur parasysh kushtet e kreditimit që ofrojnë bankat komerciale e koston e lartë të këtyre dhe mungesën e financimeve alternative”, ka thënë ai .

Rexhepi ka shtuar se kjo vlerë e paraparë të ndahet nga MTI-ja të konsiderohet si fillim, pasi sipas tij ndoshta qeveria mund të qëndroj në përmbushjen e një premtim që ka dhënë rrethfondit prej disa dhjetëra apo qindra miliona euro që mund tëinvestohen dhe mund të ndihmohet sektori privat.

Në ndër kohë, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thotë se grantet janë të rëndësishme për bizneset.

“Unë i vlerësoj këto grante si të rëndësishme edhe pse në përgjithësi nuk jam ithtarë shumë i granetve për shkak ndoshta të pabarazisë që ato krijojnë në mesin e bizneseve. Shumë 3 milionë besoj që është e mjaftueshme për biznese fillestare po natyrisht ajo çka do të doja të shihja nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është një kujdes më i madh një shqyrtim të pasurit e kritereve qarta dhe natyrisht shqyrtimi i kujdesshëm i aplikacioneve ose planeve të biznesit që do të dorëzoheshin nga këta ndërmarrës ashtu që mos të lihet mundësi për abuzim apo shpërdorim të këtyre fondeve gjë që natyrisht ka pasur edhe raste të tilla edhe në të kaluarën”,ka thënë Zeka.

Ai ka shtuar se grantet është mirë t’u jepen bizneseve të cilat kanë potencial të zëvendësimit të importeve pse jo edhe të rritjes së eksporteve në të ardhmen.

Po ashtu, edheAgim Shahini , kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), thotë për Kosovappress se bizneset janë në pritje të përkrahjes financiare nga ana e shtetit.

“Bizneset kosovare mbesin në pritje për t’u krijuar një mundësi më e mirë më frytdhënëse që do të ju jep një infuzion nga institucionet shtetërore për të tejkaluar këtë krizë e cila me të vërtet i ka kapluar gjithë sektorët. Fondet të cilat janë premtuar bizneset janë duke i pritur, fondet të cilat sot apo këtyre ditëve janë duke u deklaruar nga institucionet shtetërore janë tepër të vogla në krahasim me pritjet. Po shpresoj që me ri-balans të buxhetit do të krijohen edhe reforma të politikave fiskale por njëkohësisht do të ketë edhe më shumë fonde për biznesin e sidomos ato biznese që janë prodhuese e që janë të prekura drejtpërsëdrejti nga eksperti importi i produkteve të ndryshme e që nuk kanë mundësi të eksportojnë për shkak të politikave jo të mira dhe për shkak të mungesës së subvencioneve”, ka thënë Shahini.

Ai po ashtu ka shtuar se institucionet shtetërore të Kosovës do të kenë parasysh që pa subvencione dhe pa mbështetje të sektorit privat, pa fuqizimin e saj, vështirë që do të arrihen objektivat për të zëvendësuar importin me prodhim vendi. (Kosovapress)