367 lëndë korrupsioni, 28 milionë euro pasuri e ngrirë

Lëvizja FOL sot ka publikuar statistikat për periudhën korrik-shtator 2014 të Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave në kuadër të Platformës së Statistikave Anti-Korrupsion dhe gjithashtu statistikat e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar sa i përket konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë për periudhën janar-shtator 2014.

Lajme

16/11/2014 12:46

Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL tha se të dhënat për lëndë të korrupsionit tregojnë se Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykatat gjatë periudhës tre-mujore korrik-shtator 2014 kanë trajtuar dhe pranuar në punë gjithsej 367 lëndë anti-korrupsion.

“Nga këto lëndë Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe raportuese ka trajtuar gjithsej 152 raste, ku për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit ka trajtuar 3 raste, për dhënie të ryshfetit 12 raste dhe për keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar 137 raste. Nga këto raste Policia e Kosovës ka arrestuar 11 persona”, deklaroi Kalaja.

Sipas tij, Prokuroria gjatë kësaj periudhe raportuese ka pranuar në punë gjithsej 176 raste, ku për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit ka pranuar në punë 1 rast dhe ka zgjidhur 3 raste, për dhënie të ryshfetit 12 raste dhe ka zgjidhur 11 raste dhe për keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar 163 raste dhe ka zgjidhur 84 raste.

“Gjykatat gjatë kësaj periudhe raportuese kanë pranuar në punë gjithsej 48 raste, ku për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit ka pranuar në punë 2 raste dhe kanë zgjidhur 4 raste, për dhënie të ryshfetit 8 raste dhe ka zgjidhur 4 raste si dhe për keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar 38 raste dhe ka zgjidhur 15 raste”, tha ai.

Fidan Kalaja shtoi se Lëvizja FOL gjithashtu ka monitoruar punën dhe angazhimin e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar sa i përket konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë për periudhën janar-shtator 2014.

Të dhënat e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike tregojnë se vlera e përafërt e pasurive të ngrira ose të sekuestruara për periudhën raportuese është prej rreth 28.9 milionë euro (28,968,000 €). Llojet e pasurisë së ngrirë ose sekuestruar janë: Para – 888.000 €, 11 shtëpi – 800.000 €, 8 vila (1 në Ulqin) – 85.000 €, 17 banesa – 1.000.000 €, 2 objekte ndërtimore – 100.000 €, 1 motel – 100.000 €,14 vetura – 135.000 €, 6 lokale afariste – 600.000 €, Pa-luajtshmëri – mbi 40 hektar tokë – 22.000.000 €, Lojëra të fatit – 50.000 €, Makineri e ndryshme – 50.000 €, Fabrika “FAN” – 2.800.000 €, Klinika “Medicus” – 100.000 €, Restorant i papërfunduar – 50.000 €, Të tjera – 110.000 €.

Ndërsa të dhënat e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar ka pranuar për ekzekutim 57 vendime ku, 42 kanë qenë vendime për pranimin e pasurisë së sekuestruar, 12 vendime për pasuri të konfiskuar, 1 vendim për administrimin e pasurisë së ngrirë dhe 2 vendime për kthimin e pasurisë së sekuestruar. Vlera e përafërt e vlerësuar e pasurive të administruara nga AAPSK është rreth 340,000.00 €.